104 zyrtarë nuk deklarojnë pasurinë, 30 aktakuza të ngritura

104 zyrtarë nuk deklarojnë pasurinë, 30 aktakuza të ngritura

Procesi i deklarimit të pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë po ecën ngadalë. Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, ka kërkuar që procesi i deklarimit të përfundojë me kohë.

Janë mbi 4 mijë zyrtarë të shtetit që duhet ta deklarojnë prejardhjen e pasurisë.

Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, ka thënë se zyrtarët e lartë shtetërorë janë të obliguar të deklarojnë pasurinë deri në fund të marsit. Numri total i zyrtarëve që obligohen të deklarojnë pasurinë është 4474 zyrtarë, tha Havolli.

Shaip Havolli: Deri më tani kanë deklaruar mbi 1 mijë zyrtarë. Procesi është duke shkuar ngadalë. Në rast vonese për deklarim, ata do të sanksionohen nëse nuk kanë asnjë arsye.

“Ne si agjenci e kemi më vështirë t’i kontrollojmë gabimet teknike në rast se nuk e deklarojnë deri ditën e fundit. Pas përfundimit të të gjitha çështjeve teknike të këtij procesi, agjencia do të organizojë aktivitet publik të hedhjes së shortit për kontrollin e plotë të pasurisë, që sipas Ligjit për Deklarimin e Pasurisë, do t’i nënshtrohen 20 për qind e listës së përgjithshme të zyrtarëve të lartë publikë që kanë deklaruar pasurin për vitin 2018″, tha ai.

Mirëpo Ehat Miftaraj, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se kjo metodologji e hedhjes së shortit nuk ka prodhuar asnjë rezultat.

“Edhe me ligj është e caktuar që zyrtarët e lartë të deklarojnë pasurinë në bazë të shortit, kjo nuk ka prodhuar asnjë rezultat. Kjo për faktin që edhe për kundër asaj se është bërë verifikimi i pasurisë asnjëherë nuk ka përfunduar ndonjë rast, ndonjë aktakuzë apo ndonjë person i dënuar për deklarim apo s’përputhje të pasurisë”, tha ai.

Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar nga shteti që të gjenden prova dhe fakte në bazë të Ligjit për prejardhjen e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë.

Ndërkaq, Prokuroria e Shtetit, përmes një përgjigje elektronike, ka treguar se kanë pranuar 104 raste që nuk kanë deklaruar pasurinë, apo kanë deklaruar rrejshëm. Prej tyre vetëm 30 zyrtarëve u është ngritur aktakuzë pas zhvillimit të hetimeve.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje