132 shtëpi për komunitetet në Kosovë

132 shtëpi për komunitetet në Kosovë

Në 12 komuna të Kosovës do të ndërtohen 132 shtëpi për komunitete.

Për këtë sot është nënshkruar marrëveshja nga ana e Ministrisë Punës dhe Mirëqenies Sociale, komunave ku do të ndërtohen këto shtëpi si dhe Grupit Parlamentar 6+.

Sekretari i MPMS-së, Izedin Bytyqi, ka thënë se synojnë që përmes këtij projekti në vlerë 1.8 milionë euro, të përmirësojnë sado pak mirëqenien e këtyre komuniteteve.

“Projekti paksa është kompleks dhe na duhet bashkëpunimi i ngushtë me komunat, për lejtet e ndërtimit dhe besoj se do ta kemi përkrahjen e tyre”, ka theksuar Bytyqi, shkruan EkonomiaOnline.

Deputeti Danush Ademi nga Grupi Parlamentar 6+, ka thënë se projekti është dashur të përfundojë në muajin maj, por kanë pasur telashe me disa politikanë të cilët, sipas tij, kanë dashur ta pengojnë këtë projekt.

“Për komunitetin ashkali do të ndërtohen afër 50 shtëpi, për komunitetin rom deri në 30 shtëpi, për komunitetin turk 30 dhe për komunitetin boshnjak 30 shtëpi. Pjesa e mbetur e komunave do të jetë ne infrastrukturë”, ka thënë Ademi.

Këto shtëpi do të ndërtohen në komunën e Pejës, Fushë-Kosovës, Gjakovës, Lipjanit, Obiliqit, Mamushës, Ferizajt, Gjilanit, Suharekës, Shtimes, Podujevës dhe Prizrenit.

Sipas zyrtarëve të ministrisë, ata janë në bisedime që edhe komuna e Prishtinës dhe ajo e Dragashit të përfshihen në projekt.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje