Agresori kërkon të barazohet me viktimën

Agresori kërkon të barazohet me viktimën

Vucic një showman i dështuar në Televizionin Shqiptar.

Në intervistën e dhënë për një televizion të Shqipërisë, Vuçiç ishte përpjekur dhe sforcuar shumë të vishte me paketim të ri dhe te shndritshëm Vuçiçi i vjetër që jepte bekimin për masakra mbi shqiptarët dhe skërmiste dhëmbët kur i binin në dorë statistikat për vrasje dhe masakra shqiptarësh jo shumë kohë më parë, por vetëm 20 vite larg.
Por ai që pamë në intervistën e dakordsuar më parë në çdo presje dhe frymëmarrje ishte një Vuçiç i vjetër që lante duart si Cezari për krimet e tmerrshme kundër popullatës civile në Kosovë. Asnjë fjalë për ta, vetëm kinse ai ishte shenjtori që kishte vendosur të jepte bekimin e të ulej të hante një kafshatë bukë me shqiptarët e për këtë nder këta të fundit duhet ti jenë mirënjohës për gjithë jetën. Pse jo për këtë “Perandor” shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë duhet të shkelin mbi gjakun e të pafajshmëve dhe të mijërave që u shkuan tej për tej në bajonetën e vrasësve (shokëve të vjetër të Vuçiç).
Për sytë e çdo europiani, gjuha diplomatike e përdorur nga presidenti serb tingëllonte aq “cool” sa po të mos e dish mirë historinë do ta gjeje veten në grackën e kostumit, kollares, buzëqeshjes së shtirur dhe gjuhës forcërisht të ëmbëlsuar kundrejt shqiptarëve nga Vuçiç dhe do filloje të kërkoje fajtorë për konflikte në Ballkan tek shqiptarët që nuk dinë të bëjnë tjetër sipas Aleksandrit veç të bëjnë bukë dhe pite të mira.
Nga lartësia e piedestalit ku e kishte vendosur veten Vuçiç pra u tregua mëshirëplotë duke na dhënë leje ne të marrim frymë dhe gazetarit Idro Seferi të drejtën për të bërë disa pyetje por asnjë prej tyre që mund tia prishte humorin.
Cilat janë pyetjet që do ia prishnin humorin naltmadhnisë së tij që për pak e shpalli veten krajl të të gjithë ballkanasve?

Po ua rendis si më poshtë të gjitha pyetjet që as gazetari shqiptar dhe as Presidenti Thaci nuk ia kanë vendosur ndonjëherë para hundës në tavolinë:

1. A ndjeni gjëkund pendesë për krimet e tmerrshme që u kryen ndaj 18 mijë shqiptarëve të vrarë e të masakruar?
2. Si do t’ua ktheni jetën dhe pafajësinë 20 mijë grave të dhunuara gjatë luftës?
3. Ku i mbani fshehur skicat dhe hartat e varreve massive dhe listat e 1700 shqiptarëve të zhdukur me urdhrin tuaj dhe të shefave tuaj?
4. A do kërkoni ndonjëherë falje për shtëpitë e djegura, për tokat e minuara, për fëmijët e gjymtuar dhe masakruar, për inteligjencën kosovare që e zhdukët pa nam e pa nishan?
5. Si keni ndërmend të paguani për dëmet ekonomike të përllogaritura nga ekspertë të komunitetit europian rreth 3 miliardë euro?
6. Kur do ta njihni Pavarësinë e Kosovës dhe kur do të pushonin së luajturi lojën me dy porta kinse doni të hyni në Europë por në realitet çdo mbrëmje pushoni në shtratin rus?

Lista mund të zgjatet e zgjatet me pyetjet që nuk u bënë kurrë për mungesë kuraje apo se Naltmadhnia nuk do të denjonte tu përgjigjej, por shumë minuta trasnmetimi u çuan dëm për të mësuar asgjë të re përveç një ping-pongu bajat në fushë jo të rrafshët që arbitrohet nga arbitra që nuk dinë rregullat e lojës dhe janë krejt të pavëmendshëm e mezi presin që loja të përfundojë.
Se kush digjet më shumë për ta nuk ka rëndësi, mjaft që ai që vishet me kostumin më të bukur dhe ka stampuar buzëqeshjen europiane të dalë i kënaqur me oreksin e tij që deri më tani i ka kushtuar Ballkanit tre luftra dhe qindra mijëra të vrarë dhe të zhdukur.
Në kompromisin e diktuar kinse me dialog të paanshëm dhe në atë çka deklaroi Vuçiçi i vjetër ka një të re që ne shqiptarët e dimë me kohë, ata që kemi çuar ne për negociata nuk janë ose nuk duan të përfaqësojnë interesat e shqiptarëve derisa ngulfaten të justifikojnë firma që kanë hedhur në dëm të interesit kombëtar siç është rasti i komunave serbe në territorin e Kosovës.
E kjo duke mos e cekur aspak kryekushtin me të cilin qeveritarët e Kosovës duhet të kishin shkuar në negociata: NJOHJA E PAVARËSISË SË KOSOVËS.
Po të kish ndodhur kjo, sot nuk do shqyenim sytë nga ato që na dëgjojnë veshët për ndarje si mall pazari të Kosovës që u la me gjak të pafajshmish dhe kur agresori ulëret kapeni dhe vareni viktimën.

Prof. Faton Kurti
Kryetar i Republikanët e Kosovës

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje