AKB dhe Komuna e Vitisë zgjerojn bashkepunimin përmes Programit IPA II

AKB dhe Komuna e Vitisë zgjerojn bashkepunimin përmes Programit IPA II

Një delegacion i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), i kryesuar nga kryetari Agim Shahini, të mërkurën vizituan Komunën e Vitisë dhe bizneset e këtij regjioni, ku në këtë rast i priti kryetari i kësaj komune, Sokol Haliti, i cili i njoftoi me të arriturat dhe sfidat e tyre.

Haliti ka theksuar se komuna e të cilën ai e drejton është lidere në Kosovë, sa i përket të bërit biznes, ku të gjitha bizneset sipas tij, janë të liruara nga taksat komunale dhe brenda muajve të fundit asnjë biznes nuk është mbyllur.

Ai më tutje tha se janë shtuar bizneset dhe kapacitetet e tyre prodhuese, përpunuese, tregtare dhe ato shërbyese.

“Investimet kapitale në këtë komunë janë në rritje, kurse infrastruktura rrugore në tërë komunën është përfunduar. Jam i gatshëm që të vazhdojmë bashkëpunimin me AKB në të gjitha projektet për të mirën e zhvillimit të sektorit privat dhe mirëqenien e qytetarëve të komunës tonë”, ka thënë Haliti.

Haliti i dhuroi një mirënjohje AKB – së për punën dhe kontributin e saj 16 vjeçar për promovimin e prodhimeve vendore në Kosovë dhe jashtë saj, duke shtuar se kjo mirënjohje është në emër të të gjitha bizneseve dhe qytetarëve të kësaj komune.

Agim Shahini, kryetar i AKB – së njoftoi për së afërmi kryetarin e komunës dhe bizneset për projektet te cilat AKB po i realizon në bashkëpunim edhe me komunat tjera të regjionit të Ferizajt, Gjilanit dhe Prizrenit, në kuadër të Programit IPA II për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkufitar tregtar Kosovë – Maqedoni ku janë të përfshira më shumë së 24 komuna nga këto dy shtete.

“Potencialin e komunës tuaj mund të rrisim edhe në drejtim të investimeve nga Diaspora, por edhe të investitorëve të ndryshëm të cilët janë të interesuar për ofertën atraktive që komuna e juaj ofron për investitorët potencial”, ka shtuar ai.

Shahini e falënderoi kryetarin Haliti për mikpritjen dhe mirënjohjen, duke theksuar se kjo mirënjohje e vlerëson lartë AKB-në dhe gjithë bashkëpunëtorët dhe anëtarët e tyre – jo vetëm të regjionit por të gjithë Kosovës.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje