Anulimi i takimit Trump – Kim Jong Un, ndikoi në rënien e...

Anulimi i takimit Trump – Kim Jong Un, ndikoi në rënien e tregjeve të aksioneve

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka anuluar takimin historik me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i cili ishte planifikuar të mbahet më 12 qershor në Singapor.

Trump e anuloi samitin përmes një letre dërguar Kim Jong Unit të enjten, duke përmendur kërcënimin e Koresë së Veriut të një dite më parë, kur një zyrtare e lartë verikoreane e cilësoi nënpresidentin e Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, si “kopje politike” dhe paralajmëroi për “përplasje të mundshme bërthamore” nëse diplomacia dështon.

“Fatkeqësisht, duke u bazuar në zemërimin e madh dhe armiqësinë e hapur të shfaqur në deklaratën tuaj të fundit, unë mendoj se është e papërshtatshme, në këtë kohë, që të zhvillojmë takimin e planifikuar për një kohë të gjatë”, ka shkruar Trump në letrën drejtuar Kim Jong Un, që u publikua nga Shtëpia e Bardhë.

Menjëherë pas publikimit të këtij lajmi, tregjet amerikane dhe ato evropiane ranë ndjeshëm, ndërsa ari fitoi terren, pasi u preferua nga investitorët për t’u mbrojtur ndaj rënies së aksioneve, raporton “scantv”.

Pjesa më e madhe e letrës ishte shkruar me terma dukshëm miqësorë, duke përfshirë edhe vlerësimin për lirimin e tre të burgosurve amerikanë, që mbaheshin në Korenë e Veriut. Por, nuk mungojnë edhe kërcënimet. “Ju po flisni për aftësitë tuaja bërthamore. Por, tonat janë aq masive dhe aq të fuqishme, saqë ti lutemi Zotit, që nuk do të përdoren kurrë”, ka shkruar Trump.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje