Apostolova: Specialja s’ka lidhje me liberalizimin e vizave

Apostolova: Specialja s’ka lidhje me liberalizimin e vizave

Shefja e BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, ua ka bërë edhe njëherë me dije partive politike në vend se nuk do të ketë liberalizim të vizave pa ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi dhe pa rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit. Derisa theksoi se nuk ka lidhje Gjykata Speciale me procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit.

Këto komente shefja e BE-së në Kosovë i bëri në takimin që pati me shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi dhe tre kryetarët e komisioneve parlamentare nga kjo parti.

Kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media, Nait Hasani, kritikoi ashpër Bashkimin Evropian për kushte krejtësisht politike, siç është demarkacioni e Gjykata Speciale, në këmbim të liberalizimit të vizave.

Hasani e quajti të papranueshëm kriterin e demarkacionit, duke thënë se asnjë shteti në histori të BE-së nuk i është vënë ky kusht, pos Kosovës. Derisa ka akuzuar BE-në për presione të mëdha ndaj deputetëve, Presidentit, kreut të Kuvendit e kryeministrit për miratimin e Speciales.

Hasani: Kushtet e BE-së për liberalizim të papranueshme

“Për mua janë të padrejta kushtet e BE-së, demarkacioni, Gjykata Speciale dhe luftimi i korrupsionit për liberalizim të vizave. Korrupsioni është një luftë e përhershme e secilit shtet, këtë kusht nuk ka asnjëherë askush ta përmbyllë edhe të thotë se e përfundoi, kështu që lufta e përhershme është edhe në shtetet e BE-së. Ndërsa për demarkacion besoj që Qeveria e ka zgjedh çështjen tash edhe ka krijuar një komision të ri që është në shqyrtim të fakteve dhe të gjeturave që ka, por megjithatë mungesa e liberalizimit është një kusht që ka vendosur BE është e dëmshme që nuk e ka dhënë atë mesazhin që presim nga BE….Ndërsa te çështja e Gjykatës Speciale janë bërë trajtime dhe detyrime shumë të mëdha ndaj deputetëve për ta miratuar, ndërsa nuk është trajtuar gjithë koncepti i luftës në Kosovë, por etnikisht është ndarë. Prandaj është i papranueshëm atëherë dhe tash, veprimet që janë bërë, de tyrimet që janë bërë nga BE ndaj deputetëve, ndaj Presidentit, ndaj kryeministrit, ndaj kryetarit të Parlamentit për ta miratuar këtë ligj”, tha Hasani.

Sipas deputetit të PDK-së, BE i ka dhënë liberalizimin e vizave Ukrainës që ka 50 milionë banorë dhe është në luftë me Rusinë, ndërsa për Kosovën që është një shtet i paqes dhe stabilitetit në rajon, vënë kushte siç është demarkacioni, i cili është politik dhe jo teknik.

Këto komente e kanë shtyrë ambasadoren Apostolova që të ua bëjë me dije ligjvënësve kosovarë se nuk do të ketë liberalizim pa plotësimin e këtyre dy kushteve. Derisa për Specialen theksoi se nuk ka lidhje me liberalizimin, as me ushtrinë, e asgjë tjetër.

Apostolova: BE nuk i heq demarkacionin dhe korrupsionin si kushte për liberalizim

“Nuk do të komentoj në Gjykatën Speciale, sepse kjo është çështje që i takon Kosovës si e pavarur. Nuk do të hyjë në polemika se kush kujt çka i ka premtuar, vetëm se dua të theksoj se absolutisht nuk ka kurrfarë lidhje mes punës së Gjykatës, procesit të liberalizimit të vizave apo participimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, apo të formimit të ushtrisë. Këto janë procese të ndryshme, një pjesë e madhe a ambasadorëve të BE-së kanë dhënë deklarata për këtë, edhe zëdhënësja jonë ka dhënë deklaratë për këtë, edhe Ambasada e SHBA-së ka qenë e zëshme në lidhje me këtë. Jam me ekipin që kanë dijeni me shumë për këtë, por të thirrja ta ndalim vetën nga këto polemika, nuk janë shumë të shëndetshme. Ta lejojmë gjykatën ta bëjë punën e vet, besoj është e nevojshme”, tha Apostolova.

Por se si janë krijuar dhomat e specializuara foli edhe kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili tha se e dinë nga kush, për kënd dhe si është krijuar Gjykata Speciale.

Krasniqi: Specialja e dimë nga kush, për kënd dhe si u krijua

“Në rastin e dhomave të specializuara ju e thatë shumë mirë që kjo është gjykatë e themeluar nga Kosovë, për Kosovën, por ne gjithë e dimë edhe si janë krijuar, edhe prej kujt janë krijuar, edhe për kënd janë krijuar. E vërteta mbetet që ne obligimet tona i kemi kryer, e vërteta mbetet që ne obligimet tona do të vazhdojmë t’i kryejmë dhe e vërteta që ne shpresojmë që do të mbetet që mendojmë që duhet të ketë një mbështetje të vazhdueshme edhe e shteteve anëtare veç e veç por edhe BE-së në këto procese që nuk janë të lehta për askënd në Kosovë, e para se gjithash nuk janë të lehta për popullatën shumicë në Kosovë, e që ende nuk kanë filluar në rastin e Speciales, as në fazën e saj fillestare e me siguri nuk do të jenë të lehta kur ato do të jenë konkrete dhe të filloj me punën e vet”, theksoi Krasniqi.

Kritika për mos liberalizim dhe mbajtjen e qytetarëve të Kosovës në geto, në drejtim të BE-së, pati edhe kryetarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, Sala Berisha-Shala, sipas së cilës qytetarët janë të frustruar tej mase me këtë mungesë të lirisë së shprehjes.

Megjithatë, në këtë takim të shefes së BE-së dhe përfaqësuesve të PDK-së, u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit për të plotësuar agjendën evropiane të Kosovës.

Apostolova theksoi reformat që duhet bërë në sistemin e drejtësisë, administratës publike, rishikimin e zvogëlimit të agjencive të pavarura, pasi vuri në dilemë nëse janë të nevojshme gjithë ato agjencione dhe mënyra e zgjedhjes së bordeve të tyre.

Edhe kryetarët e komisioneve që udhëheqin deputetët e PDK-së, siguruan shefen e BE-së, se do të punojnë ngushtë me ta për ta shtyrë përpara agjendën evropiane duke plotësuar kriteret.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje