Arifi: Bisedimet Kosovë-Serbi, në një periudhë të vështirë

Arifi: Bisedimet Kosovë-Serbi, në një periudhë të vështirë

Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës për bisedimet teknike me Serbinë, Avni Arifi, thotë se bisedimet aktuale ndodhen në një fazë kritike për të ardhmen e vendit. Në një bisedë për Zërin e Amerikës, Arifi thotë se nuk pret ndonjë rezultat nga takimi i caktuar për të dielën ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Alëksandër Vuçiq.

Ai thotë se deklaratat e zyrtarëve serb po i hedhin siç thotë një hije të rëndë takimit.

“Edhe herën e fundit ka pasur pritje të ndryshme dhe takimi i fundit ka shkuar shumë keq faktikisht. Pritje nuk kam. Të presim çfarë po ndodh me marrëveshjen, aq më parë u habita kur me gjithë insistimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian se ekziston një marrëveshje për energji, është e pakuptueshme dhe e çuditshme kur presidenti i Serbisë dhe kryeministrja dalin e flasin se nuk ka marrëveshje për energji. Një lloj cinizmi i tillë i sjellë një hije të zezë apo një hije të rëndë të këtij takimi dhe i humb shpresat që do të ketë një zhvillim konstruktiv në këtë aspekt. Nuk kam pritje fare, nuk besoj që do të ketë diçka të mirë por megjithatë mirë që po takohen”, tha ai.

Partitë politike në Kosovë janë përfshirë në debate për të ardhmen e bisedimeve dhe rolin udhëheqës të tyre. Derisa presidenti Thaçi thotë se me kushtetutë dhe ligje e ka detyrim që të përfaqësojë Kosovën dhe t’u prijë bisedimeve deri në fund të këtij procesi, partitë opozitare mendojnë se është parlamenti ai që mund t’i jap mandatin udhëheqjes së bisedimeve.

Arifi thotë se është shumë me rëndësi që partitë politike në Kosovë të merren vesh për të ardhmen e bisedimeve.

“Është mirë që në nivel të shefave të grupeve parlamentare, në nivel të kryetarëve të partive të mbërrijnë te një marrëveshje sepse jo që vetëm e vështirëson por besoj që edhe dëmton procesin dhe duhet të jemi së bashku në këtë proces”, tha ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pritet që të takohet të dielën në Bruksel me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq. Takimi shihet si një përpjekje për t’i hapur rrugë arritjes së një marrëveshjeje detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Por, kësaj radhe nuk do të ketë takim ndërmjet ekipeve teknike që zakonisht hapin rrugën për bisedime politike.

 

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje