Artistët anonimë në rolet që i njihni (Foto)

Artistët anonimë në rolet që i njihni (Foto)

Kush ka luajtur rolet e Alfit, të Godzilës, të përbindëshit në “Alien”, të Corneliusit në “Planetin e Majmunëve”?

Rolet e tyre i dini të gjithë, për këtë jemi qind për qind të sigurt, por po ashtu, edhe për këtë kemi siguri absolute se askush prej jush, nuk e dini se kush në të vërtetë i ka aktruar rolet të cilat ju kanë lidhur për televizorin ose ju kanë detyruar që të blini biletë edhe dyfish më të shtrenjtë vetëm për t’i parë filmat ku ata ishin kryeprotagonistë.

Ja, të shohim se për çka është fjala.

Michu Meszaros në kostumin e Alfit

Të nisim me Alfin, me jashtëtokësorin tej mase simpatik, i cili ishte shumë i popullarizuar në Kosovë, ashtu si edhe në tërë botën. Alfi nuk ka qenë farë mashtrimi apo farë kukulle e cila mbahet me duar nga dikush në prapaskenë. Është e vërtetë që Alfi ka qenë një kostum, por këtë e ka veshur një aktor i shkurtër, një hungarez, që quhet Michu Meszaros. Ky ka qenë roli i tij i vetëm dhe më i madhi në karrierën e tij të aktorit.

Godzila, ai përbindëshi i tmerrshëm që shkel qytete të ndryshme, përndryshe invencion i japonezëve, ka shërbyer, mbase këtë e dini edhe si model i veprimit diplomatik. Richard Holbrooke, ambasadori i njohur amerikan, shpeshherë, në metodat që i përdorte në arritjen e një qëllimi, krahasohej me Godzilën. As Godzila, si Alfi, nuk ka qenë vetëm maketë a trik i regjisorëve. Rolin e tij, së bashku me kostum, e ka luajtur për 20 vjet rresht aktori japonez Haruo Nakajima.

Haruo Nakajima dhe “Godzila”

Afroamerikani Kevin Peter Hall në vitin 1987 do të trondisë botën filmike me rolin e tij të Predatorit. Për fat të keq të tij, Hall nuk do të arrijë t’i gëzohet edhe aq shumë suksesit në karrierën e tij. Në vitin 1991 ai do të vdesë nga AIDS-i, një “predator” i llojit të vet, i cili gëlltit me miliona njerëz anembanë botës.

“Predatori” Kevin Peter Hall

Studenti afrikan Bolai Badejo ka pasur një rol të veçantë në filmin “Alien” të Ridley Scottit, i cili sot e kësaj dite llogaritet si njëri ndër më të mirët në historinë e filmit, posaçërisht në atë dimensionin e filmave të fantastikës shkencore. Angazhimi i këtij afrikani, të gjatë mbi dy metra, ishte punë rasti: Regjisori Scott e kishte veneruar atë në një bar nate. Gjatësia e tij dhe dukja ishin të mjaftueshme për të angazhuar në vazhdimin e parë të “Alien”, të xhiruar qysh në vitin 1979.

“Alieni” Bolai Badejo

Roddy McDowall do të luajë rolin e Corneliusit në filmin e parë të “Planetit të Majmunëve” në vitin 1968. Ky film, pastaj edhe seriali i cili do të pasojë në televizion, do të jetë shumë i popullarizuar në vitetet e shtatëdhjeta dhe të tetëdhjeta. Pak vite më parë do të xhirohet edhe vazhdimi i filmit ku shquhet skema e zakonshme (për këtë serial) të sundimit të majmunëve mbi njeriun. McDowell ka pasur një karrierë relativsiht të suksesshme në vijim. Ka vdekur në vitin 1998, kur i kishte 70 vjet, nga kanceri i mushkërive.

Frank Oz dhe “Yoda”

I fundit në këtë listë, besojmë shumë interesante për ju është Frank Oz, i cili ka luajtur (dhe luan) rolin e Yodas së vogël në serialin “Star Wars” të George Lucasit, njërit prej regjisorëve dhe producentëve më të njohur në Hollivud. Është interesant që Oz (58-vjeçar), pos rolit të Yodas, ka pasur edhe rolin e Miss Piggyt në “Muppet Show”. Përndryshe, me profesion, Oz është regjisor!

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje