Bahtiri priti komandantin e ri të KFOR-it Veri, kolonelin Dominique

Bahtiri priti komandantin e ri të KFOR-it Veri, kolonelin Dominique

Komandanti i ri i Detashmentit të Përbashkët të KFOR-it Veri, koloneli Saudan Dominique është pritur nga kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale dhe gjendjen e sigurisë në Mitrovicë.

Bahtiri, vlerësoi lartë bashkëpunimin e komunës më pjesëtarët e KFOR-it, ku e njoftoi komandantin Dominique mbi gjendjen aktuale politike e të sigurisë në komunë, për të cilën tha se është e qetë dhe pa probleme.

“Në komunën e Mitrovicës janë bërë hapa të mëdhenj në stabilizimin e plotë të gjendjes së përgjithshme. Tani kur rezultatet në këtë drejtim janë të dukshme, kemi pas mundësi më të mëdha të punojmë në drejtim të zhvillimit ekonomik, ku kemi arritur rezultate të prekshme, falë interesimit të bizneseve për të investuar në Komunë. Në këtë drejtim qenësor ka pas para së gjithash angazhim dhe përkushtim nga qytetarët, të të gjitha përkatësive etnike, për të pas një situatë të qetë. Ata treguan se tashmë janë lodhur nga problemet që ata vet pothuaj asnjëherë nuk i kanë krijuar, por që ishin grupet ekstremiste që punonin për interesa të veta e jo të qytetarëve ”, tha kryetari i komunës së Mitrovicës.

Ai po ashtu tha se ka bërë përpjekje të vazhdueshme për bashkëpunim të ndërsjellë me kryetarët e komunave në veri të Kosovës, e cila sipas tij ka lëvizje pozitive në këtë drejtim.

Komandanti i Detashmentit të Përbashkët të KFOR-it Veri, koloneli Saudan Dominique, u shpreh se bashkëpunimin e mirë të deritashëm ndërmjet komunës dhe Detashmentit të Përbashkët të KFOR-it Veri, do ta intensifikoi dhe pasuroi me qëllim të realizimit të kërkesave të qytetarëve të gjitha përkatësive etnike, për të jetuar në paqe.

Ai ia dorëzoi kryetarit Bahtiri, ftesën për të marrë pjesën në një ushtrim të ushtarëve të KFOR-it, që do të mbahet afër aeroportit të Sllatinës më 27 prill.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje