Basha: Qeveria në duart e bandave, njerëzit janë zhgënjyer nga politika

Basha: Qeveria në duart e bandave, njerëzit janë zhgënjyer nga politika

Gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, kryetari Lulzim Basha u shpreh se kjo është një orë kritike për të sotmen dhe të nesërmen e vendit tonë.
Sipas tij punët shkojnë keq, se shoqëria është e shpartalluar, se ekonomia është katastrofë dhe se politika i ka zhgënjyer njerëzit.

“Shqipëria nuk do t’i harrojë lehtë këto vite. Ajo nuk do ta harrojë se shpëtimi i saj nuk është thjesht punë partie. Shpëtimi i saj është shqetësimi dhe detyra për të gjithë ne këtu.

Ne sot mblidhemi nën hijen e një qeverie e cila e ka shkatërruar ekonominë, ka shkatërruar sistemin tonë arsimor, ka zhdukur konkurrencën e lirë, ka vjedhur taksat dhe paratë publike, ka rrënuar shëndetësinë, ka plaçkitur qytetarin për të pasuruar oligarkun, ka demoralizuar brezin e ri, ka mbushur vendin me drogë, ka futur kriminelët në zyrat e shtetit, ka shkretuar Shqipërinë duke detyruar qindra e mijëra familje shqiptare të marrin rrugën e mërgimit.

Kjo qeveri ka kaluar pushtetin në duart e bandave dhe të oligarkëve, ka braktisur njerëzit, ka kthyer vendin përmbys me reformën territoriale e cila vetëm qytetarëve nuk ju shërben”, tha Basha.

Sipas tij sot kemi një qeveri që ngriti sistemin më të sofistikuar të shitblerjes së votës, një qeveri që vuri kriminelët në krye të shtabeve elektorale.

“Por ne nuk duhet të biem në rehati nga justifikimet. Ne duhet të gjejmë guximin dhe ta pranojmë: PO, ata kanë dështuar, por edhe ne nuk ja dolëm.

Ne nuk ja dolëm ta kurorëzonim me sukses betejën tonë historike për ti dhënë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk ja dolëm të ndanim njëherë e mirë politikën nga krimi, nuk ja dolëm që trafikantët e drogës dhe bosët e tyre politikë t’i çonim para drejtësisë.

Por në këtë Kuvend të madh kombëtar, duke lënë pas humbjen dhe zhgënjimin, le ta shikojmë sot njëri-tjetrin në sy dhe të themi njëzëri: KURRË MË!!

Ja ku jemi bashkë me mijëra demokratë, të gatshëm për të nisur një tjetër rrugëtim të madh dhe të suksesshëm për Partinë Demokratike dhe për Shqipërinë evropiane.

Plot besim tek vetja, por mbi të gjitha plot besim tek vlerat dhe tek vizioni që ne ndajmë me njëri tjetrin.

Sot e gjithë Shqipëria pret nga ne. Është një pritje e thellë në kufijtë e dëshpërimit. Sepse këto nuk janë kohë të mira për Shqipërinë”, tha Basha.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje