Bizneset paralajmërojnë padi ndaj KEDS-it

Bizneset paralajmërojnë padi ndaj KEDS-it

Bizneset e pakënaqura në rajone periferike të Kosovës, janë duke planifikuar ta padisin KEDS-in për trajtim të pabarabartë me furnizim me energji elektrike.

Sipas disa përfaqësuesve të bizneseve, furnizimi i tyre me energji elektrike është i çrregulluar dhe po dëmton bizneset e tyre.

Bizneset nga rajonet e ndryshme të Kosovës konsiderojnë se po u bëhet padrejtësi nga ana e KEDS-it, pasi po furnizohen me më pak rrymë se sa kryeqendra. Për këtë arsye, Burim Piraj, me fabrikën e tij në Dragash, ka pohuar se janë duke planifikuar ngritjen e një padie ndaj KEDS-it. “Kemi bashkëpunim me shoqatat e biznesit, jemi duke punuar në këtë drejtim që të bëhet një padi kolektive e disa bizneseve ndaj KEDS-it dhe të kërkohet llogari. Pse të mos kërkohet llogari kur jemi shumë parapagues të rregullt të energjisë elektrike dhe ata nuk kanë problem me neve për pagesë, ashtu edhe ne duhet të mos kemi problem me ta për furnizim me energji elektrike”, ka thënë Piraj.

Por nuk është vetëm ky rajon i pakënaqur me trajtimin nga ana e KEDS-it.

Paknaqësi kanë shprehur edhe bizneset nga rajoni i Ferizajt. Njëri ndër ta është prodhuesi Bekim Musliu. “Ka probleme me rrymë. KEDS-i dhjetë herë e ndalë rrymën, një herë të lajmëron që ka ndalje të rrymës. Nuk të lajmëron me kohë, veç kur t’i teket e ndalë rrymën”, është shprehur ai për “Radio Kosova”.

Por zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se njoftimet për ndalje të rrymës bëhen rregullisht.

Ai ka thënë se nuk ka reduktime të energjisë elektrike. “Ju garantoj që KEDS-i nuk është duke aplikuar reduktime jo vetëm për biznese, por për asnjë konsumator anë e kënd territorit të vendit”, ka thënë Buzhala.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje