Celulari mbush sot 45 vjeç, shpikja që ndryshoi botën

Celulari mbush sot 45 vjeç, shpikja që ndryshoi botën

Më 3 prill 1973, në Nju Jork, nga një telefon i madh thuajse sa një kuti këpucësh, u bë telefonata e parë celulare.

Protagonist i këtij momenti historik, që prej 45 vitesh ka ndryshuar jetët tona, ishte inxhinieri amerikan, Martin Cooper.

Aparati që ai përdori ishte një Dyna Tac, shkurtim i Dynamic Adaptive Total Area Coverage.

Aparati kishte një peshë mbi 1 kg, pa ekran, me kohë karikimi rreth 10 orë dhe autonomi operative jo më shumë se 35 minuta.

Krejt i ndryshëm nga smartfonët e hollë dhe të lehtë që ne përdorim sot dhe me problemin e baterisë që nuk zgjat shumë, që edhe pas kaq vitesh mbetet një nga sfidat e kompanive teknologjike, ai u prezantua para amerikanëve.

“Ne të Motorolës ia dolëm, telefonia celulare është tashmë një realitet”, tha Martin Cooper në telefonatën e parë të realizuar pa kabllo.

Kjo thirrje u bë në numrin e rivalit të tij në atë kohë, Joel Engel, studiues i Bell Labs.

Në atë kohë, celulari i ri u pa si mrekulli teknologjike që mbylli rivalitetin mes dy kompanive, i nisur që në vitin 1947.

Por për masën e gjerë, kjo do të bëhej realitet 17 vjet më vonë, pas dhënies së frekuencave të para.

Pasuesi i prototipit të prezantuar nga Cooper ishte DynaTac 8000X, i cili u shit për 3995 dollarë në atë kohë, shifër që sot ka vlerën 9322 dollarë.

Kjo shifër e bën edhe modelin më të ri të iPhone-it të duket low cost.

Nga vitet ’80 e më pas, celulari nisi një ngjitje drejt suksesit.

Megjithatë fillimisht rritja pati ritëm të ngadaltë, pasi u deshën 7 vite që numri i përdoruesve të arrinte në 1 milion.

Ndërsa Martin Cooper, i lindur në vitin 1928, e ruan ende pasionin për teknologjinë.

Inxhineri 90-vjeçar komunikon me botën përmes profilit të tij në Tuiter @MartyMobile.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje