Debat i ashpër në mes Xhavit Halitit dhe Anton Qunit, Haliti e...

Debat i ashpër në mes Xhavit Halitit dhe Anton Qunit, Haliti e quan “rrenc” deputetin e LDK-së

Debat i ashpër është zhvilluar në mes deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, për shkak se ky i fundit e kishte akuzuar Halitin se gjatë kohës së luftës kishte pranuar 8 milionë markash nga ish – ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës në ekzil, Ahmet Krasniqi.

Ky debat është bërë në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Haliti ka thënë se Quni po “rren”, sepse nuk ka qenë prezentë dhe nuk e di ngjarjen e takimeve në mes tij dhe ish–ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi.

Në anën tjetër Quni ka thënë se deklaratat e tij në një emisionin të mbrëmshëm televiziv janë të argumentuara me ditë, datë dhe vend, nga njerëzit që kanë qenë prezent në këto takime.

Sipas tij, nuk ka asgjë të keqe nëse janë pranuar paratë për ta ndihmuar luftën çlirimtare, por që sipas tij, shqetësim është nëse paratë janë keqpërdorur.

Pas kësaj Haliti ia ndaloi fjalën për replikë deputetit të LDK-së, Anton Quni, gjë që krijoi tollovi te foltorja e Kuvendit, ku me seancë po udhëheqë Xhavit Haliti.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje