Dhuna ndaj gruas lidhet me pozitën e saj materiale në familje

Dhuna ndaj gruas lidhet me pozitën e saj materiale në familje

Derisa debati për dhunën në familje po vazhdon në Kuvendin e Kosovës, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, theksoi se janë duke punuar në disa drejtime për ta fuqizuar pozitën e gruas.

Tahiri përmendi themelimin e strategjisë kombëtare për të drejtat pronësore në Kosovës, duke i dhënë prioritet pakos së ligjeve për trashëgiminë.

“Këto ligje janë në shqyrtim parlamentar të cilat kanë qëllim forcimin e pozitës së gruas në raportin familjare duke përfshirë rolin e saj në trashëgimi. Deputetët t’i mbështesin këto iniciativë që më shpejtë këto t’i vendosim në zbatim. Përmes këtyre ndryshimeve ligjore gruas në Kosovë do t’i vendosim status më të lartë në familje dhe komunitet më shumë kontroll mbi të hyrat nga papunësia për t’i kushtuar rol më të madh në vendimmarrje për të mirën e familjes dhe shoqërisë. Fenomeni i dhunës ndaj gruas është i lidhur me pozitën e saj të dis-favorshme materiale në familjet tona. Statistikat tregojnë se deri në vitin 2015, vetëm 18 për qind e grave kanë regjistruar pronë në emër të tyre ne Kosovë, në kuadër të 18 për qind, janë vetëm 3,8 për qind që kanë trashëguar pronë nga familja”, tha Tahiri.

Ai shtoi se nga viti 2015 deri në vitin 2017, ka një trend të rritjes së ndjeshme, dhe kjo përqindje shkon në 20 për qind që kanë regjistruar pronë në emër të tyre, ndërsa 7, 8 për qind e pronës vjen nga pronësia e trashëguar nga familja. Përkundër këtij trendi, ministri Tahiri u shpreh jo i kënaqur, por është i përkushtuar për të ndryshuar këtë gjendje.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se përshëndetjet dhe urimet për 8 marsin, nuk mund t’i zëvendësojnë problemet e mëdha që janë në Kosovë me diskriminimin e grave.

Sipas Kurtit, është e domosdoshme hapja e punës për gratë e burrat.

“Ato të cilat sipas statistikave janë të nënshtruarat e shoqërisë sonë, jo rrallë quhen qenie fisnike me eufemizmat e politikanëve sharlatan. Besimi se gruaja është fisnike nuk është i vërtetë, pasi po të besonin ashtu këta politikanë do të kishin ndërmarrë reforma të thella që hapin tregun e punës për gratë, e do të kishin ndërhyrë për të parandaluar stereotipizimet, diskriminuese në media, në shkollë, e në tregje. Por edhe po të ishte i vërtetë besimi se gruaja është qenie fisnike, është në vetvete një stereotipizim, refleks i një konservatorizmi patriarkal si i tillë një nga pengesat serioze në luftën kundër pabarazisë. Njësoj edhe besimi është qenie e mirë, e brishtë e të tjera”, tha Kurti.

Kurti shtoi se në jetën politike e institucionale përgjithësisht grat në Kosovë nuk marrin pjesë.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje