E mitura rrëfen tmerrin që përjetoi për pesë vjet rresht si viktimë...

E mitura rrëfen tmerrin që përjetoi për pesë vjet rresht si viktimë e përdhunimit

Janari i viti 2012, për të miturën ishte shumë i ftohtë. Ishte vetëm 12 vjeçe kur Arta (nuk është emri i saj i vërtetë), takoi dy djem që nuk i njihte më herët.

Ata e kishin përcjellë atë me muaj dhe kishin siguruar informata të detajuara për të.

“Unë kur i kom pas 12 vjet, kanë ardhë dy persona te shkolla ku unë jom kanë, m’kanë marrë, m’kanë hypë në kerr edhe më kanë çu në banesë, ku qaty me kanë përdhunu”, rrëfen Arta në RTK.

Ajo thotë se trafikantët i kishin bërë foto dhe video të ndershme gjatë përdhunimit, që ta mbanin atë nën shantazhin e tyre për vite me radhë.

Ajo nuk i kishte njohur ata më herët.

“Më kanë thënë që kanë me m’tregu diçka rreth familjes sime, unë i kom pas veç 12 vjet edhe s’kom mujtë me logjiku pak ma larg. Kur jom nis me shku në shtëpi unë jom kanë krejt shenja, në trup, në fytyrë, e kom pas blluzën e shkyer, të brendshmet si kom pas hiq, dhe kur jom shku te shtëpia, mas pari kom hi në dhomë, jom hi deri në banjo edhe kom pas gjakëderdhje qatëherë shumë. Prej frike kom hi në dhomën teme edhe tu u mundu ashtu shpejt me vesh dicka edhe me e mbulu fytyrën me diçka ka hy nëna ime në dhomë edhe më ka pyet se çka ki, pse ton këto shenja, çka ka ndodhë, i kam thënë se kishe jam rreh me një shoqe në shkollë”, tregon Arta.

Ajo thotë se rrahja që kishte shpikur që ka ndodhur në shkollë, kishte qenë edhe arsyetimi që për vite ja kishte dhënë familjes së saj. Ajo kishte qenë e kërcënuar gjatë gjithë kohës.

“… ka thënë ti s’guxon me fol kurrgjë hiç, përndryshe krejt çka i ki të shtëpisë ti vrajë, ty mas pari tani tjerët”.

Ndryshimin që kishte pasuar në sjelljet e Artes, e kishin vërejtur edhe shoqëria e saj, por asnjëri nga ta nuk ishte munduar që ta ndihmojë që ajo të ketë guximin t’i lajmërojë familjen dhe Policinë për atë që përjetonte. Ata, shoqëria, thjeshtë e kishin etiketuar si të përdalë.

“Më kanë thënë prej fjalëve më të këqija që mujnë me ekzistu… nërsy tyre kom kesh, jom bo kishe kurgjo s’o ka ndodh, por e di unë qysh jam bo kur kam shku në shtëpi. M’kanë thënë fjalë që nuk e di a ka ma të keqe, me kanë ofendu në tona mënyrat, gjysma e shoqërisë janë largu prej meje, e plot sene të tjera”.

Arta thotë se ishte munduar që të shkëputej pre tyre, por ishte e pamundur.

“Dikur mu dokt sikur me kanë në dorë tash edhe s’kom më çka me bo, me shku në Polici nuk guxojsha, me thënë të drejtën as mendja s’me ka shku për Polici, se 12 vjeçare mo, ku e disha çka me bo”.

“Por në momentin që ja nisën me ushtru dhunë n’mu përstepërmi, edhe ja nisën edhe drogë mem jep, e pash që mo nuk po shkon, u lodha shkurt, nuk mujsha mo me duru kurgjo, edhe pse e kisha atë friken se ndoshta unë në rrugë kam me mbet, isha me mendje se a më pranon familja jeme a jo, kisha shumë mendime të pshtjellavta në kry, sa thojsha po shkoj po e lajmëroj, nashta edhe ata e marrin dënimin e merituar, edhe unë e vazhdoj jetën tem, tani thojsha s’kom kurrfarë jete”, rrëfen ajo.

Hera e fundit që ajo ishte detyruar që të u nënshtrohej trafikantëve, kishte qenë në moshën 16 vjeçare.

Ajo kishte qëndruar një javë në një banesë me ta, duke u shfrytëzuar në forma të ndryshme nga njerëz të ndryshëm.

“Kur më kanë marrë në një banesë, jon kanë 5 persona, me kanë mbajt një javë ditë dhe se ka ditë kurrkush ku jom, as familja as kurrkush. M’kanë shfrytëzu në mënyrën më të keqe që ekziston, jom kanë si lojë e tyre. Veç me kanë shfrytëzu kur kanë dashtë me përfitu diçka prej meje, kanë thirr njerëz çka si kom njoftë kurrë më herët, edhe mu ka dashtë me dal me ta, saherë kanë thënë ata ose sa herë kanë dashtë”.

Sipas saj edhe moshat e personave që kanë kryer marrëdhënie me të kanë qenë të ndryshme, ndërsa ajo ishte një e mitur.

“Ka pas që me kanë keqtrajtu, më kanë rrahur, por ka pas edhe që veç e kanë kry marrëdhënien me mu edhe kanë shku, nuk me kanë keqtrajtu as kurgjo… Asnjëherë nuk më kanë pyet pse po rrin ti këtu, ose a ki ti familje, ose me u interesu me pyet, jon ardhë veç e kanë kryer qëllimin që e kanë pas edhe kanë dal”.

Dhuna dhe përdhunimet ndaj saj, kishin qenë të vazhdueshme.

“Me më përdhunu, me kanë përdhunu sa herë kanë dashtë vet, m’kanë rreh nonstop, edhe me kanë jep diçka me pi, si lloj droge u kanë po nuk e kom ditë çka”.

Një javë pas mungesës së saj në shtëpi, familja e saj kishin lajmëruar Policinë e Kosovës që ta gjenin atë.

Pas një jave që për të nuk kishte pasur klientë që trafikantët të përfitonin nga ajo, atë e kishin lënë në rrugë.

“E kom ndal një njeri në rrugë ja kom lyp telefonin edhe e kom thirr mamin tem. Ajo u kanë me Polici n’ato momente, edhe veç ma ka bo tregom ku je, po vi unë menjëherë po të marrë, edhe u ardh baba jem edhe vllau me kanë marrë, mami ish kanë në Stacion, edhe më kanë dërgu në Stacion të Policisë, edhe qaty e kom tregu rastin”.

Arta, kishte jetuar për 5 vite në mesin e shoqërisë, në mesin e profesorëve dhe familjes, por askush nga ta nuk kishte arritur ta kuptonte mungesën e saj në shkollë, në familje dhe në shoqëri si diçka shqetësuese, por e kishin etiketuar si vajzë e përdalë.

Largimi i saj nga gjenerata, ishte edhe mundësia më e mirë e trafikantëve. Sot në Kosovë mund të numërojmë edhe shumë Arta të tjera.

“Familja jeme më ka pranu shumë mirë, nana si më ka pa, më ka ofru edhe më ka fol fjalë prej më të mirave që kanë egzistu, edhe baba, po meshkujt janë pak më të ftohtë. Jom kanë me fat që e kom një familje të tillë”.

Arta nuk ka arritur ta përfundojë as shkollën e mesme, si shkak i presionit që ajo kishte përjetuar në atë kohë.

“Nuk e di a me kanë lënë një javë ditë me shku në shkollë ose jo. Kom pas shumë trauma, çka edhe sëmundja mu ka lajmëru prej tyre, epilepsia shkaku i krejt çka kom përjetu… Në fillim kom pas ankthe shumë, në gjumë jom kanë edhe u qojsha tu bërtitë pos a jom kanë në qendër në rehabilitim, kom shku në qendër edhe i kom kalu ato”.

Arta tani jeton me familjen e saj dhe e kaluara për të mbetet e kaluar, ajo dëshiron që zëri i saj të jetë motiv për vajzat e tjera të reja që mund të jenë duke përjetuar të njëjtën torturë si ajo.

Në një shtet me një popullsi me më pak se 2 milionë banorë, viktima të trafikimit të zbuluara nga Policia e Kosovës nuk janë të vogla. Në vitin, 2015 ishin identifikuar 32 viktima të trafikimit, ku 15 prej tyre janë të mitura, në vitin 2016 ishin identifikuar 36 viktima të trafikimit, prej tyre të mitura ishin 18 ndërsa në vitin 2017, janë identifikuar 32 viktima, 19 prej tyre të moshës së mitur.

Këto viktima ruhen nga institucionet e Kosovës me konfidencialitet të plotë. Por dënimi për kryerësit e kësaj vepre penale, ende nuk është maksimal.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje