Ekskluzive/ A do të jetë shkas Demarkacioni që Qeveria Haradinaj të mos...

Ekskluzive/ A do të jetë shkas Demarkacioni që Qeveria Haradinaj të mos ketë jetëgjatësi

Ramush Haradinaj e ka marrë drejtimin e Qeverisë së Kosovës në një periudhë me shumë probleme të mëdha që nuk mundi t’i “vë kapak” Qeveria e Isa Mustafës e cila pati mbi 80 deputetë.

Sfidë për Haradinajn mbetet Demarkacioni me Malin e Zi, pikë kjo që ndikon drejtpërdrejt edhe për liberalizimin e vizave.

Versionin aktual të Demarkacionit, Haradinaj e ka kundërshtuar që nga fillimi edhe kur ishte opozitar, por që ky version e ka përkrahjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe të presidentit Hashim Thaçi, i cili e ka vënë nënshkrimin e këtij dokumenti kur ishte në pozitën e ministrit të Punëve të Jashtme.

Në anën tjetër sfidë për Qeverinë Haradinaj mbetet edhe Asociacioni i Komunave Serbe, edhe ky një problem që Haradinaj sa ishte në opozitë e kundërshtonte.

Burime të “Repubilka24” brenda Qeverisë Haradinaj kanë bërë të ditur se kryeministri Haradinaj nuk do ta pranojë këtë version të demarkacionit.

Sipas këtyre burimeve Haradinaj e ka në plan që këtë version të rrëzojë në Kuvend dhe pastaj t’i drejtohet Arbitrazhit.

Mirëpo përfaqësues të PDK-së, thonë se demarkacioni mund të jetë një shkak që kjo qeveri të mos ketë jetëgjatësi.

“Ne nuk guxojmë të luajmë me demarkacionin. Shpallja e pavarësisë është bërë në kuadër të këtyre kufijve ekzistues dhe në anën tjetër ish-lideri i PDK-së Hashim Thaçi ka qenë nënshkrues i kësaj marrëveshje dhe pastaj kemi reagimin ndërkombëtar – thirrjen e BE-së që të ratifikohet versioni aktual. Qeveria Haradinaj, ku edhe PDK-ja që është pjesë e saj duhet ta votojë këtë version të demarkacionit, duke kërkuar edhe mbështetjen e deputetëve të LDK-së, përndryshe demarkacioni mund të jetë shkak për rënien e kësaj qeverie”, ka thënë një deputet i PDK-së në kushte anonimiteti për “Republika24”.

Kryeministri Haradinaj është para një sfidë të madhe para BE-së sa i përket Demarkacionit me Malin e Zi, ose përndryshe Kosova do të mbetet e izoluar në raport me BE-në.

/Republika24/

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje