Emigranti nga Kosova bëhet hero në Francë, shpëton 6 persona nga vdekja

Emigranti nga Kosova bëhet hero në Francë, shpëton 6 persona nga vdekja

Emigranti nga Kosova, Florim Shehu është kthyer në hero të banorëve të komunës së vogël të Change-s, pasi ka shpëtuar dy familje nga përmbytjet që kanë goditur rajonin e Mayenne-s në Francë gjatë vikendit.

Florim Shehu, i cili jeton prej tre vitesh në Francë, ka rrëfyer për mediumin francez “Ouest France” ngjarjen e së dielës në fshatin Change.

“Stuhia filloi rreth orës 16:00 të dielën. Unë shkova për të lëvizur makinën time sepse uji po rritej shumë shpejt, por në fund të rrugës pashë një grua që ishte bllokuar në shtëpinë e saj”, ka nisur rrëfimin Shehu.

Pasi e ka parë gruan e mbërthyer brenda shtëpisë, Florim Shehu ka braktisur veturën e tij “Peugeot 205”, të cilën tentonte ta shpëtonte nga vërshimet dhe ka shkuar për të shpëtuar fqinjët e tij në lagje.

Kur ka rritur të dera e shtëpisë, Florimi e kishte kuptuar se gruaja e bllokuar brenda shtëpisë nuk ishte vetëm.

“Burri i saj kishte shkuar në një dyqan dhe ajo ishte me dy fëmijët e saj, duke përfshirë një foshnje një muajshe”, ka bërë me dije Shehu.

Përkundër vërshimeve të mëdha, azilanti nga Kosova ka arritur t’i shpëtonte tre njerëzit që ishin bllokuar brenda shtëpisë së tyre dhe i kishte çuar ata në shtëpinë ku ai banonte.

Apartamenti ku ai jeton prej shtatorit të vitit të kaluar me gruan dhe dy fëmijët e tij, gjendet në katet e larta të një ndërtese në fshat dhe nuk ishte i prekur nga vërshimet.
Në këtë moment, Florimit i ka kërkuar ndihmë një mik i tij nga Parisi.

Ai i ka kërkuar kosovarit që t’i ndihmonte familjes së tij që jetonte në fshatin Change.

“Ishte djali i fqinjëve të mi që më thirri nga Parisi. Ai më kërkoi ta ndihmoja familjen e tij që ishte bllokuar në shtëpinë e tij”, u shpreh Florim Shehu.

Në kohën kur ai ka shpëtuar njerëzit e tjerë që ishin ngujuar në shtëpitë e tyre, vetura e Florimit ishte bartuar nga uji dhe kishte përfunduar në lum.

Mirëpo, aksioni i kosovarit nuk është ndal me kaq. Ai ka shpëtuar edhe tre fqinjë të tij ukrainas të ngujuar në katin e parë të ndërtesës ku ai banon.

Për shkak të nivelit të lartë të ujit, Florimi nuk ka mundur ta hapte derën e apartamentit, kështu që ai është futur nga dritaret, prej nga edhe i ka nxjerr tre persona që ishin ngujuar në këtë banesë.

Për vetëm një orë, raporton “Ouest France”, Florimi ka shpëtuar gjashtë persona nga vërshimet.

“Është heroi ynë!”, ka deklaruar fqinja e tij, Dominique Roger, shtëpia e së cilës ka pësuar gjithashtu shumë dëme materiale.

Teksa jeton në Francë prej tri vitesh, Florim Shehu ka aplikuar për azil në prefekturën e Mayenne-s.

Ende nuk ka marrë përgjigje nga zyrtarët e shtetit francez, mirëpo pas këtij akti heroik, komuna është e gatshme t’i ndihmojë atij.

Kryebashkiaku i komunës së vogël të Change-s, Denis Mouchel, ka thënë se do të përpiqet ta gjejë një zgjidhje për t’i ndihmuar Shehut.

“Ai preferoi t’i shpëtonte fqinjët e tij në vend të veturës së tij. Ne do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje për të”, ka premtuar kryebashkiaku Denis Mouchel.

Mediet franceze e kanë krahasuar kosovarin Florim Shehu me emigrantin afrikan nga Mali, Mammadou Gassama, i cili dy javë më parë shpëtoi një fëmijë 4-vjeçar nga rënie prej një ballkoni të një ndërtese në Paris.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje