Ende nuk dihet kostoja e heqjes së roamingut në mes të Kosovës...

Ende nuk dihet kostoja e heqjes së roamingut në mes të Kosovës dhe Shqipërisë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën e propozuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialdemokrate (PSD) që parasheh heqjen e roamingut në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Rezoluta e miratuar parasheh që Qeveria e Kosovës në kuadër të integrimit ekonomik me Qeverinë e Shqipërisë t’i nisë procedurat për heqjen e tarifës së roamingut në telefoninë mobile ndërmjet qytetarëve të të dy vendeve.

Kjo rezolutë parasheh themelimin e një komisioni të përbashkët Qeveri Kuvend për t’i nisur bisedimet për eliminimin total të tarifave të roamingut në Kosovë dhe Shqipëri.

Sipas kësaj rezolute, anëtarët e Kuvendit në këtë komision janë përfaqësues të secilit grup parlamentar në legjislaturën aktuale.

Autoriteti Regullativ i Komunikimeve Telefonike dhe Postare të Kosovës dhe ai i Shqipërisë duhet të përkujdesen për implementimin e kësaj marrëveshje.

Po ashtu, kërkohet të thellohet bashkëpunimi në fushën e komunikimeve elektronike, me theks të veçantë në shërbimin e trafikut të internetit drejtpërdrejt nyjave shkëmbyese të internetit të dy vendeve.

Komisioni i përbashkët duhet të raportojë në Kuvend për arritjen e marrëveshjes dhe ecurinë e heqjes së tarifave jo më larg se dy muaj pas miratimit të kësaj rezolute. Lidhur me këtë rezolutë ka folur kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi.

Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se rezoluta për heqjen e roamingut në mes të Kosovës dhe Shqipërisëmund të fillojë së zbatuari vetëm pas marrëveshjes dypalëshe të ministrive përkatëse të dy shteteve.

“Rezoluta për heqjen e raomingut në mes të Kosovës dhe Shqipërisë mund të zbatohet pas marrëveshjes dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, e cila arrihet në këtë rast nga dy ministritë respektive që mbulojnë fushën e telekomit”, ka thënë Gashi.

I pyetur nëse do të duhej të kishte paraprakisht pajtim mes operatorëve, Gashi ka thënë se rezoluta e miratuar në Kuvend shpreh vullnetin e institucionit më të lartë ligjvënës në shtet për një çështje të caktuar siç është heqja e roamingut dhe bashkëpunimi me Shqipërinë në fushën e komunikimeve elektronike.

Ndërkaq sipas tij, operatorët do të konsultohen për aspekte të implementimit të marrëveshjes nga ministritë përkatëse gjatë procesit të pajtimit të hollësive teknike të zbatimit.

Sa i përket çështjes së kostos financiare të implementimit të kësaj rezolute, Gashi ka thënë se ende nuk është bërë ndonjë studim lidhur me heqjen e roamingut në mes të dy shteteve.

“Nuk është bërë ndonjë studim në lidhje me heqjen e kostove të roamingut ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, por me gjithë kostot fillestare që mund të kenë operatorët,përfitimi për qytetarët e të dy vendeve nga heqja e roamingut është mjaft i madh për shkak të numrit të madh të lëvizjeve si dhe është në pajtueshmëri me trendin e zhvillimeve në rajon dhe në Bashkimin Evropian”, është shprehur ai.

Ndërsa eksperti i telekomunikacionit, Agron Dida, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se rezoluta e miratuar në Kuvendin e Kosovës është një vendim i duhur dhe i mirëpritur për qytetarët e të dyja shteteve, pasi çmimet aktuale janë të larta.

“Rezoluta është vendim shumë i duhur për qytetarët dhe bizneset në të dy shtetet. Kjo rezolutë është në pajtim me trendët e zhvillimeve në EU, pasi edhe atje u hoq tarifa roaming mes shtatëve të EU-së”, ka thënë Dida. Sipas tij, vendim të njëjtë duhet të marrë edhe Kuvendi i Shqipërisë.

“Këtë vendim duhet ta marrë edhe Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë që rregullatorët e Telekomit të mund të sajojnë rregulla të reja të komunikimit për operatorët sipas kërkesave të kuvendeve përkatëse. Çmimet aktuale janë të larta dhe duhet të rregullohen”, është shprehur Dida.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje