Fondi i ngrirë i AKP-së mund ta ndihmojë ekonominë

Fondi i ngrirë i AKP-së mund ta ndihmojë ekonominë

Rreth 700 milionë euro është fondi i grumbulluar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), nga shitja e rreth 1 300 asteve të ndërmarrjeve shoqërore, që nga viti 2002 e deri në fund të vitit të kaluar.

Nga kjo shumë, mbi 110 milionë euro janë ndarë në emër 20 përqindëshit, që ndahen për punëtorët pas shitjes së ndërmarrjes në të cilën kanë punuar, kurse për kreditorët potencialë janë paguar rreth 20 milionë euro, thuhet në një përgjigje nga zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Nga fondi tepricë në buxhetin e Kosovës, Agjencia ka derdhur mbi 90 milionë euro.

Ndërkaq, në fondin rezervë janë mbi 460 milionë euro, që mbahen të bllokuara në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Mosinvestimi i këtyre mjeteve që mbahen tani e sa vite në Bankën Qendrore, vazhdimisht është kritikuar nga ekspertë për çështje ekonomike. Ata konsiderojnë se investimi i këtyre mjeteve në projekte zhvillimore konkretisht në sektorin privat, do të ndikonte në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.

Lekë Musa, ish-kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, se Qeveria e Kosovës duhet ta analizojë këtë çështje, dhe të vendosë se në cilët sektorë duhet të përdoren këto mjete.

“Unë mendoj se do t’ia vlente që të krijohet një treg i kapitalit në Kosovë ose përmes investimeve në ekuitet të ndërmarrjeve me potencial dhe një pjesë tjetër të shkonte edhe për ndërmarrje të vogla dhe të mesme do të ndikonte në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik”, ka thënë Musa.

Ylli Kaloshi, zëdhënës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ka treguar për “Radion Evropa e Lirë”, “se deri më tani Bordi dhe menaxhmenti i Agjencisë, bashkë me Qeverinë e Kosovës, kanë shqyrtuar mundësitë ligjore të përdorimit të këtyre mjeteve të deponuara nga procesi i privatizimit në BQK për qëllime të projekteve zhvillimore në të mirën e vendit, por me kujdes të shtuar për shkak të obligimeve që ka AKP- ja karshi ish-punëtorëve dhe kreditorëve të njohur”, ka deklaruar Kaloshi.

Por, Lekë Musa insiston se Fondi i privatizimit duhet të shfrytëzohet vetëm në sektorin privat, pasi, sipas tij, në ndërmarrjet publike mjetet rrezikohen të humben.

“Sektori privat gjeneron të ardhura të qëndrueshme, afatgjate dhe mund të krijojë vende të reja të punës. Sektori publik nuk gjeneron të ardhura, është kryesisht konsumues dhe tashmë është dëshmuar se alokimi i resurseve te sektori publik, ka dështuar”.

“Ne kemi rastin e ndërmarrjeve publike, vetëm PTK-ja ka qenë kompani profitabile dhe tani më edhe ajo është duke perfomuar më humbje”, ka thënë Musa për “Radion Evropa e Lirë”.

Nga rreth 600 ndërmarrje shoqërore sa figurojnë të jenë në pronësi të Republikës së Kosovës, Agjencia Kosovare e Privatizimit, ka arritur të privatizojë shumicën prej tyre, duke krijuar nga një apo dy ndërmarrje të reja private. Kurse, të pashitura kanë mbetur rreth 2000 asete të ndërmarrjeve shoqërore.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje