Furtuna e re për rregulloren: Ndjesa e LSI-së, virusi ‘Saimir Tahiri’ dhe...

Furtuna e re për rregulloren: Ndjesa e LSI-së, virusi ‘Saimir Tahiri’ dhe sulmi ndaj Top Channel

Një natë më parë, televizioni Top Channel lajmëroi se disa ndryshime në rregulloren e Kuvendit mund të kthejnë parlamentin në një gjykatë, pasi kërkesat e prokurorisë për arrestimin e deputetëve dhe ministrave, duhen shoqëruar me prova.

Lajmi mori dhenë dhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha deklaroi të enjten se po shkatërrohet reforma në drejtësi.

Sipas tij, qëllimi i mazhorancës është që të mbrojë peshqit e mëdhenj, siç ndodhi me rastin e Saimir Tahirit.

Në të njëjtën kohë, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi iu drejtua ambasadorëve të huaj në vend, duke theksuar se mazhoranca po kap drejtësinë.

Ajo i referohet shpërfilljes që iu bë opinioneve nga ONM.

“Moment i patolerueshëm përbuzja e opinioneve të dhëna nga ONM për kandidatë të caktuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit (ish-sekretar i përgjithshëm i ministrit Tahiri)”, shkruan Kryemadhi dhe jo më kot e vë theksin te Tahiri.

Pak më vonë edhe një zyrtar i LSI përsëriti akuzat e opozitës për ndryshimet në rregullore.

Por në një konferencë të gjatë për shtyp, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, u lodh gjatë për të bindur gazetarët se nuk po bëjnë ndonjë shkelje.

Ai e nisi duke ‘thumbuar’ televizionin Top Channel, që ka mbajtur qëndrime të forta për çështjen Tahiri (e cila ka shkaktuar jo pak probleme brenda këtij televizioni).

Balla harroi se kronika është transmetuar edhe nga Top Channel.

Megjithatë ai duket se e kishte të mbështetur argumentimin tek Kodi i Procedurës Penale, ku thuhet se kur ka një kërkesë për arrestimin e deputetëve dhe ministrave, prokurorët dorëzojnë në Kuvend relacionin dhe provat.

Bëhet fjalë pikërisht për ato ndryshime ligjore në kuadër të reformës në drejtësi, ku opozita e asaj kohe nuk ishte e pranishme.

Pikërisht këtu vjen edhe një ndjesë publike e LSI, e cila votoi në atë kohë, por tashmë në letrën e Monika Kryemadhit, thotë se koha i dha të drejtë PD-së

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje