Gramsh/ Shko dhe ti tek Ujëvara e Sotirës!

Gramsh/ Shko dhe ti tek Ujëvara e Sotirës!

Në fakt, natyra na e ka dhuruar, por si cdo gjë e bukur , te lodh paksa për ta arritur.

 

Si për të vënë në prove durimin dhe dëshirën tonë, këtë mrekulli te sajën e ka krijuar ne shpatin verior te malit Tomorr.

Aty, poshtë fronit te perëndive, shpërthen ujëvara e Sotirës. Uturima e ujit, që del nga shkëmbinjtë dhe mbas 100 e ca metrave prapë në shkëmb përplaset, dëgjohet e jehon disa km larg. Gjithkush do të donte ta vizitonte nëse do ta dinte, por ku ndodhet ky vend i mrekullueshëm? Jo më shumë se 15 kilomentra nga qyteti i Gramshit dhe 60 kilometra nga Tirana.

Unë isha atje. Mjegulla e këtyre ditëve me reshje e pështillte Tomorrin, por nuk e cenonte magjinë dhe madhështinë e këtij mali te shenjte.

Zhurma e ujëvarës përshkonte pyjet, arat, shtigjet dhe shndërrohej ne simfoni. Qytetërimi e ka bjerrur romantizmin, por ne atë mjedis, kushdo ndihet i lehte, poet, romantik. Currega e quajnë vendasit.

Banoret e zonës , dy kataraktet i quajnë Currega e Madhe dhe Currega e Vogël. Ka një rivalitet lokal për ato burime. Beratasit pretendojnë se ju përket atyre, mbasi shpati malit ndodhet ne kufijtë e njësisë administrative te Roshnikut.

Gramshiotët nuk lëshojnë pe, mbasi ujerat përplasen, derdhen e vijojnë ne territorin e fshatit Sotira, njësia administrative Kushove.

Fshati dikur ka qenë i banuar dhe ka pasur një popullsi të konsiderueshme deri në 120 shtëpi, ndërsa sot vetëm 20 prej tyre janë të banueshme , por kurioziteti  e ka bërë këtë peizazh natyror që fama e bukurisë të shkojë edhe përtej kufirit, duke bërë që të vijnë mjaft vizitorë të huaj. Gramshi ka potencial turistik, shpella, kanione, lumenj, gastronomi te lavdërueshme dhe ushqime bio.

Në rast se heshtet nga banoret e asaj bashkie, atëherë, bukuritë qe ata zotërojnë do të veniten dhe nuk sjellin asnjë mundësi për biznes, tregti, turizëm. Ujëvara është atje, ndoshta nga më të bukurat në Ballkan, por ajo mbetet thjesht një bukuri e premtuar.

Shko edhe ti për të parë me sytë e tu, çfarë po të tregoj, përjetoje edhe ti ndjesinë e papërshkrueshme të kësaj ujëvare ./ dritare.net

  

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje