Haradinaj: Kosovën dhe Bullgarinë nuk e ndanë asnjë temë

Haradinaj: Kosovën dhe Bullgarinë nuk e ndanë asnjë temë

Bullgaria ka një rol tejet të rëndësishëm në rajonin tonë dhe Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të ngushta dhe bashkëpunim ekonomik dhe politik me këtë vend evropian. Ky ishte qëndrimi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në takim me kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov, vendi i të cilit që nga janari i 2018-s kryeson me presidencën e Këshillit të Evropës.

“Bullgaria e ka një aleat, Kosovën! Jemi të nderuar me prezencën tuaj në vend dhe vendet tona nuk i ndanë asnjë temë”, ka thënë Haradinaj në hapjen e takimit, duke shtuar se për të dyja vendet është i rëndësishëm thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe rruga e përbashkët evropiane.

Kryeministri Haradinaj ka kërkuar nga kryeministri Boyko Borissov mbështetjen e Bullgarisë për rrugën evropiane të Kosovës, si dhe për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe në procesin e njohjeve.

“Kosova ka nevojë për miqtë e saj në procesin e liberalizimit dhe anëtarësimit në BE. Bullgaria është një vend mik nga i cili presim mbështetjen në këtë proces. Kosova do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunim ekonomik dhe politik me këtë vend. Ne e kemi dëshmuar edhe në të kaluarën që mund të kemi partneritet të ngushtë”, ka thënë Haradinaj.

Nga ana tjetër, kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, falënderoi Kryeministrin Haradinaj për pritjen, duke shprehur përkushtimin e vendit të tij në forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dyja vendeve, partneritetit ekonomik dhe rrugën e përbashkët evropiane.

“Midis shteteve tona nuk ka çështje të hapura. Synimet tona për investimet infrastrukturore dhe në fusha të tjera e kanë në fokus edhe Kosovën”, ka thënë bullgar, Boyko Borissov, i cili e ftoi kryeministrin Haradinaj në një vizitë zyrtare në Bullgari.

Në takim morën pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj dhe ambasadori i Kosovës në Bullgari, Shpend Kallaba.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje