Haradinaj: Në Amerikë na priten si partner, nuk na dhanë detyra

Haradinaj: Në Amerikë na priten si partner, nuk na dhanë detyra

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka hapur mbledhjen e Qeverisë, me informimin e kabinetit qeveritar, lidhur me vizitën e delegacionit kosovar në SHBA.

Haradinaj tha se gjatë takimeve të shumta që delegacioni kosovar kishte në Amerikë, u vu në dukje qëndrimi i qartë se Amerika vazhdon ta përkrah Kosovën, nga e cila ka kërkuar dhe t’i kryej detyrat e shtëpisë.

“Ajo që më bëri përshtypje në këtë pritje, ishte një qëndrim i qartë i Amerikës, prej gjeneralit McMaster, duke iu drejtuar presidentit Thaçi, mua dhe të gjithë të pranishmëve të nderuar që ishin aty, por dhe popullit të Kosovës, se Amerika vazhdon me qenë me Kosovën dhe e përkrah Kosovën në perspektivën e vet si shtet i pavarur dhe sovran… Me këtë vizitë dhe në bisedat që i kemi pas, na inkurajojnë me i kryer punët e shtëpisë si Kosovë dhe njëkohësisht na japin përkrahjen që me ec në proceset integruese euroatlantike Kosova”, tha ai.

E punë të shtëpisë, sipas Haradinaj, janë: qeverisja e mirë, rendi dhe ligji, zhvillimi ekonomik, por dhe demarkacioni dhe asociacioni ishin si shqetësim. Por, fokusimi i tij ishte tek mandatimi i ushtrisë së Kosovës, duke thënë se pritja në Amerikë ishte ndryshe nga ato në Bruksel, pasi që atje u trajtuan si partner.

“Pritja në Amerikë ka qenë një pritje për një partner. Nuk na kanë dhënë detyra. Kanë pas qejf me na ndëgju. Me kuptu çka po synojmë, si synojmë me mbërri. Mund me iu thanë se jemi trajtuar si partner në çdo takim, në çdo bisedë kemi prezantu ato pikëpamje që i kemi. Për dallim kur isha në Bruksel, që kur i prezantojsha pikëpamjet tona, u bëjshin nervoz. Në Washington nuk ishte kështu. Në Washington ishin të kujdesshëm me të ndëgju . Me i pranu ato pikëpamjet dhe trajtimi që më është bërë atje që është një nder për Kosovën jo veç për mua. Ka qenë vërtetë i nivelit më të lartë“, tha ai.

Qeveria po ashtu ka ndarë mjete financiare në vlerë prej 600 mijë euro për shënimin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Haradinaj tha se po i ndajnë këto mjete, me qëllim që manifestimet të jenë në nivelin e duhur.

“Ne si qeveri kuptohet që do të përmbushim detyrimet tona që manifestimet për 10 vjetorin të jenë në nivelin e vet të merituar”, tha ai.

Qeveria po ashtu ka themeluar Këshillin organizativ për manifestimin gjithë popullor për shënimin e Epopesë së UÇK së me 5, 6 dhe 7 mars nën patronatin e kryeministrit të Kosovës. Për këtë këshill qeveria ka ndarë mjete financiare, në vlerë prej 100 mijë euro.

E në këtë mbledhje kryeministri Ramush Haradinaj paraqiti një shqetësim lidhur me borxhet që kanë komunat, për të cilat kërkoi mendim nga ministri Bedri Hamza, se a mund të ketë ndonjë zgjidhje.

“Janë disa situata të borxheve gati në përmbarim, që i bllokojnë komunat. A do të mundemi me i gjet ndonjë dalje kësaj gjendje”, tha ai.

Por ministri Bedri Hamza tha se kjo është një çështje e cila duhet të trajtohet në aspektin ligjor.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, kërkoi nga kabineti qeveritar që t’i jepet një zgjidhje kompleksit memorial në Prekaz, pasi që sipas tij kjo është një çështje urgjente.

E ministri i Financave Bedri Hamza tha se Qeveria është e gatshme ta financoj këtë projekt, pavarësisht kostos.

Kryeministri Haradinaj foli dhe për vizitën e nesërme të kryeministrit të Malit të Zi. Tha se kjo vizitë është një nder që po i bëhet Kosovës.

Ndërsa tha se ka dhënë urdhër për vënien e flamurit shtetëror tek rrethi i kryeqytetit.

Haradinaj i quajti qesharake deklaratat për ndarje apo këmbim territoresh.

“Janë qesharake këto. Nuk janë serioze. Habitem nganjëherë se kush po i nxit dhe pse po i nxit debat në Kosovë dhe mediat tona duhet të kenë pak kujdes. Nuk janë biseda fort me i absorbu ne. Do të jemi të kujdesshëm. Jam kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës së sotme. Është Kosova Kosovë, ajo që e kemi shpall. Mbetet kështu”, tha ai.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje