Hoxhaj: Konsensusi për tema të mëdha i mundëson vendit ecjen përpara

Hoxhaj: Konsensusi për tema të mëdha i mundëson vendit ecjen përpara

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka folur në lidhje me platformën e Partisë Demokratike të Kosovës, për arritjen e konsensusit mes partive politike për tema nacionale.

Hoxhaj tha se me platformën e PDK-së për konsensus, Kosova do të mund të ecë me një shpejtësi të re drejt përmbylljes së shtetndërtimit dhe integrimit euro-atlantik.

“E kemi thënë edhe në zgjedhjet e kaluara se duhet ta kemi një qeveri që merr vendime të mëdha, e vendimet e mëdha janë pikërisht këto tema të rëndësisë strategjike, siç janë: dialogu me Serbinë, formimi i ushtrisë, Asociacioni i Komunave Serbe, agjenda evropiane dhe reforma zgjedhore”, ka thënë Hoxhaj në emisionin Info Magazine, të Klan Kosovës.

Hoxhaj tha se partitë politike mund t’i kenë dallimet e tyre për shumë tema, por deklaroi se është koha që të bëhen bashkë për tema të mëdha të cilat ia mundësojnë vendit dhe qytetarëve të ecin përpara dhe të zhvillohen.

Hoxhaj foli edhe për rolin e opozitës në ecjen përpara të agjendës evropiane. Ai mori si shembull unitetin e partive politike në Kroaci, të cilët dallimet e tyre i kanë tejkaluar në Zagreb dhe në Bruksel kanë shkuar me qëndrim unik, çka edhe i ka mundësuar Kroacisë anëtarësimin e shpejtë në Bashkimin Evropian.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj duke iu referuar formimit të asociacionit tha se Kosova nuk do të pranojë asnjë institucion asimetrik që e rrezikon sovranitetin e Kosovës.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje