Instituti Edguard: 40% e profesorëve në UP me plagjiaturë

Instituti Edguard: 40% e profesorëve në UP me plagjiaturë

Nga 70 profesorë të cilët janë hulumtuar  nga instituti Edguard lidhur me punimet e tyre në Universitetin e Prishtinës, 40 për qind kanë prezencë të plagjiaturës. Të njëjtit, si rezultat i punimeve thirren në titujt e tyre akademikë, por edhe në pozitat e tyre akademike brenda Universitetit të Prishtinës.

Këtë hulumtim e ka siguruar Radio Kosova, por hulumtimi nuk është publikuar ende.

Punimet e disa prej profesorëve në Universitetin e Prishtinës, kanë rezultuar se kanë plagjiaturë. Sipas të dhënave që ka siguruar Radio Kosova, punimet të cilat janë rishikuar kanë qenë punime të doktoratave të profesorëve, por edhe publikime të tyre shkencore.

Rinor Qehaja nga Instituti Edguar, i cili është marrë më këtë hulumtim, tha se përkundër që janë cilësuar si të pranueshme nga universiteti gjatë procesit të avancimit të tyre, të njëjtat janë dëshmuar që kanë prezencë të plagjiaturës.

Qehaja sqaron se prezenca e plagjiaturës ka qenë në disa nivele, ku përfshihen temat mes kolegëve brenda vetë fakultetit, mes profesorëve dhe studentëve, e të tjera.

“Punimet e studentit janë përfshirë dhe nuk janë cituar në publikim dhe prezenca në përqindje më të madhe është ajo që nuk ka referenca të mirëfillta se kur është marrë pjesë, paragrafë të caktuar të pa referuara nga punimet ndërkombëtare. Prezenca më e madhe e plagjiaturës është nga tema dhe punime ndërkombëtare për të vazhduar me plagjiaturën që është bërë në bashkëpunim mes kolegëve dhe studentëve”, tha ai.

Ndërsa, Prorektori për kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës, Faton Berisha, tha për Radio Kosovën se Universiteti i Prishtinës ka dizajnuar një sistem vlerësimi të kredibilitetit të revistave shkencore, ku botohen punimet e stafit akademik. Ai tha se kontrollin e cilësisë dhe të plagjiaturës në publikimet shkencore të profesorëve, universiteti ua delegon recensentëve, të cilët e kontrollojnë punimin dhe e propozojnë për publikim.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje