Ish agjenti i SHIK-ut dhe pjesëtari i UÇK-së zbulon arsyet pse u...

Ish agjenti i SHIK-ut dhe pjesëtari i UÇK-së zbulon arsyet pse u bë vrasja e Komandant Drinit

Ish- agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur lidhur me vrasjen e Ekrem Rexhës, i njohur si Komandant “Drini”.

Sipas Miftarit, për vrasjen e komandant “Drinit” ishte dënuar ish-gjenerali Sali Veseli në mars të vitit 2003, ndërsa ish-agjenti i SHIK-ut, thotë se ai gjykim është bërë që të mos dënohen vrasësit e vërtetë.

Miftari ka pohuar se hetimet ndërkombëtare dyshimet kryesore i kanë ndaj personit me pseudonim Luli, e këtë pseudonim e ka pasur Veseli.

“Deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku, e ka thënë një të vërtetë të ditur, pasi që askush gjatë luftës, e sidomos pas luftës nuk ka munduar të pushkatohet pa dijeninë dhe miratimin sidomos të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. E kam përcjellë atë gjykim nga fillimi deri në fund ku si viktimë ishte zgjedhur të dënohet gjenerali i TMK Salih Veseli, i cili nuk ishte viktima e parë që do duhej dënuar për t’i mbuluar vrasësit e vërtetë (kujtoni rastin Kiqina). Edhe një sqarim, është përmendur se në hetime ndërkombëtare dyshime kryesore si organizator hidheshin ndaj personit me pseudonimin LULI. Disa media të sponzoruara nga politiqartë e PDK-së së pakut një nga ato tentuan ta paraqesin deputeten, Drita Millaku, si të paditur, të painformuar mirë (kinse ai person ishte Salih Veseli dhe jo Kadri Veseli), por edhe të dyshimtë, si kishte lidhje familjare me vjehrrin që kishte punuar në UDB. Bëhet pyetja pse ju thoni këto gjersa vetëm kur akuzonte Thaçin dhe Veselin, e nuk thanë më herët. Sqarimi i imi Sali Veseli nuk ka pasur kurrë pseudonim as gjatë, as pas Luftës dhe se pseudonimin LULI i vetmi njeri që e ka përdorur nga lufta deri më 2008, e besa edhe sot këtë pseudonim është vetë Kadri Veseli dhe pikë”, ka deklaruar Miftari për “Bota sot”.

Miftari ka treguar arsyet se përse është bërë vrasja e Ekrem Rexhës, gjersa ka shtuar se këto akuza i kanë dëgjuar edhe familjarët e tij.

“Sa i përket vrasjes të Drinit Ekrem Rexhes vrasja ësht bërë për ta mbuluar tradhtinë që iu bë Mujë Krasniqit dhe qindra ushtarëve tjerë të UÇK-së që hynin në Kosovë papytur dhe pa urdhra të shtabit të ROGNERIT, pra pa pyetur shtabin e Thaçit të ashtuqujtur shtab i përgjithshëm, i cili faktikisht nuk ekzistonte fare (ishte vetëm grup i interesit politik dhe financar ) dhe këtë kishin filluar ta kuptonin shumë ushtarë pranë UÇK-së në Kosovë dhe Shqipëri, sidomos heroi Mujë Krasniqi, vetë i cili njihej si luftëtar trim shumë i rreptë. Gjatë gjykimit të rastit DRINI, njëri nga të akuzuarit përndryshe pjesëtar e Shik-ut të ROGNERIT, kishte kaluar shumicën e luftës në Tiranë, i cili u shpallë fund i pafajshëm gjatë fundit të gjykimit nuk kuptova përse e bënte këtë deklaratë të tillë e akuzoi viktimën Drinin(Ekrem Rexhën) si bashkëpunëtor të KOS- UDB, shërbimi sekret ushtarak serb dhe UDB shërbimi i sigurimit shtetëror serb, sipas tij, Drini dhe disa familjarë të tij komunikonin në radiomarrës, me sigurimin serb dhe përdornin shifrën (kodin sekret) “VISKI 25 ” këto akuza në gjykatë i kanë dëgjuar edhe familjarët e Ekrem Rexhës (Drinit) janë transkriptat nëse si kanë zhdukur gjer tani”, ka theksuar Miftari.

Sipas tij, Prokuroria duhet të merret përsëri me këtë rast, sepse nuk është vështirë të zgjidhet vetëm duhet pasur prokuror, gjyqtarë, hetues dhe avokatë.

“Se a duhet të merret me këto deklarata në parlament prokuroria e Kosovës, normalisht se duhet, por cili prokuror apo gjyqtar do kenë guxim ta ripërsëritin këtë rast ndoshta i vetëmi që mund dhe guxon ta zgjedh është prokurori i shtetit në Prizren i zgjedhur prokurori nga Presidenti Hashim Thaçi, pra prokurori Sylë Tahir Hoxha, i lindur më 10 shkurt 1955 në fshatin Gjonaj KK Prizren, i cili si kryeprokuror i Kosovës deklaronte se “Nuk zbulohen vrasjet kur vret shteti” bëhet pyetje cili shtet cili vend vret pagjykim dhe si quhet ai shtet. Sipas mendimi tim rasti Drini (Ekrem Rexhës) mund të zgjidhet lehtë vetë duhet pasur prokuror, gjyqtarë, hetus, por edhe avokatë të pavarur që e shikojnë drejt dhe e zbatojnë vetëm ligjin dhe nuk ndikohen apo dirigjohen nga politika e korruptuar dhe e kriminalizuar nga nëntoka e krimi të organizuar”, ka shtuar Miftari.

Kujtojmë, se debati për vrasjen e Komandant Drinit, erdhi pasi deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku akuzoi presidentin Hashim Thaçi, dhe Kryeparlamentarin Kadri Veseli për vrasjen e tij.

“Bota sot” ka kontaktuar me Prokurorinë lidhur me këto akuza të deputetes së Vetëvendosjes, mirëpo ata kanë refuzuar të përgjigjen në pyetjet e redaksisë.

Edhe, Presidenti dhe Kry parlamentari kanë refuzuar të flasin lidhur me këto akuza.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje