KEK-u paralajmëron krizë energjetike

KEK-u paralajmëron krizë energjetike

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) u ka bërë thirrje banorëve të Hades e Shipitullës që të nënshkruajnë kontratat për zhvendosje nga shtëpitë dhe pronat e tyre. Sipas KEK-ut, vonesa në këtë proces po rrezikon furnizimin me energji elektrike.

Korporata, përmes një komunikate për media, ka ftuar këta banorë që kontratat t’i nënshkruajnë më së largu deri më 15 dhjetor.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) u bën thirrje banorëve të fshatrave Hade e Shipitullë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre që brenda afateve ligjore të lajmërohen në zyrat e KEK-ut- Departamenti Pronës, për të nënshkruar marrëveshjet për zhvendosje jo me vone se deri me 15 dhjetor 2017”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.

KEK-u më tutje në komunikatë nënshkrimin e kontratave të zhvendosjes e konsideron në të mirë të banorëve.

“Është në të mirën e banorëve dhe të gjitha palëve të interesit që ky proces të përfundojë sa më shpejt, pra brenda afateve ligjore dhe mos të kemi edhe më tutje vonesa që rrezikojnë funksionimin e mirëfilltë të korporatës”, vijon komunikata.

Sipas KEK-ut, vonesa në këtë proces po rrezikon furnizimin me energji elektrike.

“Vazhdimi i vonesave po e rrezikon vendin të mbetet pa energji elektrike, ose të paguajnë me çmimin shumëfish me të lartë për import të energjisë elektrike”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.

KEK-u, ofertat e veta dhe të Qeverisë për banorët e këtyre dy lokaliteteve i vlerësoi si “shumë të volitshme”.

Kujtojmë se Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ndër proceset e para me të cilat u mor pasi mori mandatin, ishte çështja e shpronësimeve në Shipitullë e Hade.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje