Kërkohet nga AUV-ja që t’i rrisë kontrollet e produkteve në kufij

Kërkohet nga AUV-ja që t’i rrisë kontrollet e produkteve në kufij

Marrja e masave mbrojtëse për produktet e qumështit nga importi nga ana e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka rritur kërkesa drejt Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), për të shtuar kontrollet në kufij por edhe në tregun e brendshëm edhe më shumë.

Eksperti i bujqësisë, Muzafer Luma ka thënë për Telegrafin se siguria e ushqimit është përgjegjësi e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV). Siguria e ushqimit sipas tij, duhet të jetë përgjegjësi nacionale dhe institucionale.

“Përgjegjësia kryesore për sigurinë e ushqimit mbetet tek Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, e cila duhet t’i shtojë kontrollet në tregun e brendshëm, e po ashtu edhe në kufij për të pasur ushqime të sigurta. Po ashtu AUV-ja duhet të marr më shumë mostra për analiza të ushqimeve”, tha Luma.

Sipas tij, nuk duhet të arsyetohet mos kontrollet e ushqimeve me mungesë të numrit të inspektorëve fitosanitar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës, Gani Durmishaj e ka mirëpritur vendimin për masa mbrojtëse nga MTI-ja për qumështin.

Sipas tij, ky vendim e fuqizon industrinë vendore të qumështit. “Disa produkte nga vende të tjera dhe Bashkësia Evropiane shiten në treg më lirë sesa në vendin e origjinës. Kjo na bënë të dyshojmë se diçka nuk është në rregull. Nëse një produkt nga importi shitet më lirë sesa në vendin e origjinës, pasi ka disa taksa shtesë, transporti, ai kualitet nuk është si ne vendin e prodhimit”, tha Durmishaj për Telegrafin.

Ai kërkon nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, marrjen e masa në kufij dhe mos lejimin e produkteve me cilësi të dyshimtë në vend.

“AUV-ja është duke bërë punën e vetë. Në këtë agjenci duhet të angazhohen më shumë dhe të moj lejojnë hyrjen brenda, e një produkti më cilësi të dyshimtë. Produkteve duhet tu bëhen analiza në terminal dhe nëse nuk është në rregull me atë produkt ai të mos lejohet të hyjë në tregun vendorë”, ka thënë Gani Durmishaj nga Shoqata e Qumështarëve të Kosovës.

Ai ka pranuar se në treg ka produkte me vaj palme. Por Durmishaj, vlerëson se vaji i palmës nuk është i dëmshëm nëse ai përdorët nën 200 gradë celsius.

“Në qumështorët e Kosovës vaji i palmës nuk mund të trajtohet në temperaturë mbi 200 gradë celsius. Krejt produktet që vijën nga jashtë vijën me prejardhje bimore. Pse ne si industri e qumështi mos t’i zëvendësojmë produktet nga jashtë, pastaj konsumatori zgjedhë se a do të konsumojë produkte me prejardhje bimore apo produkte me prejardhje shtazore “, tha Gani Durmishaj.

Ndryshe, sipas Doganës së Kosovës, në tre muajt e parë të vitit 2018 janë importuar më shumë se 801 mijë kilogramë vajë palme në vlerë prej rreth 620 mijë eurove.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje