Kërkohet paraburgim për policët që fshehën provat e vrasjes së Ivanoviqit

Kërkohet paraburgim për policët që fshehën provat e vrasjes së Ivanoviqit

Prokuroria e Mitrovicës ka paralajmëruar se sot do të dorëzojë në Gjykatë kërkesën për paraburgim për dy policët e arrestuar dje si të dyshuar për keqpërdorim të provave në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Prokurori Njazi Rexha i ka thënë se kërkesa do dorëzohet sot gjatë ditës, ndërsa nuk ka dhënë detaje të tjera për rrjedhën e hetimit të deritanishëm.

Dy policët e Kosovës, D.M. (1970) dhe Zh.M (1970) u arrestuan gjatë ditës së djeshme nën dyshimin se nuk ishin kujdesur për ruajtjen me kujdes të vendit të ngjarjes pak minuta pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Prokurori Njazi Rexha, i cili po heton rastin, ka konfirmuar se arrestimi i dy policëve ndërlidhet me mënyrën se si është ruajtur vendi i ngjarjes pas incidentit.

“Ata kanë qenë në detyrë ta ruajnë vendin e ngjarjes dhe nuk e kanë kryer detyrën e tyre siç duhet”, ka thënë Rexha për Kallxo.com.

Ai ka sqaruar se janë duke hetuar pasojat e veprimeve të policëve.

Lajmin për arrestimet e dy zyrtarëve policorë të Stacionit në Mitrovicën Veriore e bëri të ditur Inspektorati Policor.

Sipas komunikatës së Inspektoratit, këta zyrtarë u arrestuan nën dyshimin për manipulim me prova.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje