Këtë vit s’ka liberalizim të vizave, Komisioni Evropian vonohet me Raportin vlerësues?

Këtë vit s’ka liberalizim të vizave, Komisioni Evropian vonohet me Raportin vlerësues?

Në fund të qershorit, më së largu deri më 11 korrik pritej që Komisioni Evropian (KE), ta jap raportin vlerësues për çështjen e vizave për Kosovën. Kështu pati premtuar ministrja e Integrimit Evropian (MIE), Dhurata Hoxha ditë më parë në një konferencë për media.

Meqenëse po kalon afati i paralajmëruar nga institucionet e Kosovës për marrjen e rekomandimit nga KE, duket se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të mbetet vetëm dëshirë e kamotshme.

Lidhur me këtë ka folur për Telegrafin, analisti Artan Murati. Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka bërë të ditur se Komisioni Evropian (KE) është vonuar me Raportin vlerësues lidhur me përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave për Kosovën, sepse ky raport sipas tij, ka qenë i paraparë të publikohet në fund të muajit qershor.

Ai në një prononcim për Telegrafin ka thënë se në pritje të njoftimit nga Komisioni Evropian për përmbushjen e kriterit të fundit në procesin e liberalizimit të vizave, Komisioni për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Punë të Brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian e kishte vënë në rend të ditës votimin për këtë raport për datën 10 korrik.

“Mirëpo, LIBE tanimë ka hequr këtë pikë nga rendi i ditës, pasi nuk ka ardhur ende njoftimi nga Komisioni Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret”, ka shtuar ai.

Sipas tij, tani Kosova gjendet në një situatë që edhe nëse marrim një raport pozitiv nga Komisioni Evropian, megjithatë nuk është e sigurt se vizat mund të hiqen këtë vit, për shkak të procedurave vendimmarrëse në BE.

“Kosova ka intensifikuar në disa raste përpjekjet e veta për të luftuar korrupsionin, por ende mbetet shumë punë për të bërë. Edhe nëse BE vlerëson se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizim, lufta ndaj korrupsionit duhet të jetë e vazhdueshme, sepse ndikon direkt në jetën e qytetarëve dhe integrimin e mëtutjeshëm në BE”, ka shtuar Murati.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, Blerta Deliu – Kodra ka thënë se Kosova ka përmbushur kriteret që qytetarët e saj të lëvizin lirshëm pa viza në shtetet e Bashkimit Evropian (BE).

Sipas saj, Komisionit Evropian (KE) dhe institucioneve tjera të Bashkimit Evropian iu mbetet të marrin masa dhe të veprojnë konform këtij rekomandimi. Ajo ka theksuar për Telegrafin se deklarata e Komisionerit për Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn është inkurajuese.

“Deklarata e konfirmon që Kosova shumë shpejtë do të marrë rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave”, duke shtuar që “Kosova do ta marrë këtë rekomandim për shkak të përmbushjes së kritereve që i ka bërë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës”.

Në anën tjetër, shefi i shtetit, Hashim Thaçinë ditë më parë ka treguar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian (BE), Johannes Hahn.

Ai në profilin e tij në Twitter ka shkruar se gjatë kësaj bisede janë diskutuar hapat e ardhshëm në procesin e vendimmarrjes së BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Kam pasur një bisedë telefonike shumë të mirë me komisionarin Johannes Hahn për çështje të rëndësishme në marrëdhëniet BE-Kosovë, duke përfshirë hapat e ardhshëm në procesin e vendimmarrjes së BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën. E informova komisionerin për gatishmërinë dhe shpresat tona për këtë moment të rëndësishëm”, ka theksuar Thaçi.

Ndërkaq, edhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ka deklaruar për media se rekomandimi pritet të dalë shpejt, sepse sipas saj, kështu u është thënë nga zyrtarët në Bruksel. Megjithatë, ajo shtoi se tanimë kjo është çështje që mbetet në duart e institucioneve të BE-së, derisa Kosova ka punuar në plotësimin e kritereve. Ndryshe, pushteti në Kosovë ka një dekadë që premton liberalizimin e vizave, ndërsa qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të vetmit në rajon që nuk e gëzojnë lëvizjen e lirë.

Madje, kryeministri Haradinaj, kur e kishte marrë timonin e Qeverisë, pati deklaruar se brenda 90 ditësh kosovarët do të udhëtojnë pa viza në zonën Shchengen. Njëra nga kushtet kryesore për ta marrë liberalizimin e vizave ishte thënë nga zyrtarët e BE-së është kalimi i marrëveshjes se demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, por që disa muaj pas këtij votimi ende nuk dihet se a do të ketë liberalizim të vizave këtë vit.

Ndryshe, Brukseli kishte premtuar që nga fundi i qershorit apo fillimi i korrikut Komisioni Evropian të dalë me rekomandimin për liberalizimin e vizave dhe rreth kritereve të përmbushura. Ndër kriteret kyçe është ai i dëshmive se Kosova po e lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin. Nëse organet e BE-së rikonfirmojnë vullnetin e tyre për liberalizim të vizave, më pas u mbetet edhe vendeve anëtare të BE-së që të japin vendimet e tyre

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje