Kiçmari: Guximi dhe parashikimet politike të Demaçit kalojnë përmasat e një njeriu...

Kiçmari: Guximi dhe parashikimet politike të Demaçit kalojnë përmasat e një njeriu të rëndomtë (VIDEO)

Vdekja e veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, ka prekur të gjithë.

Sabri Kiçmari, ish-bashkëpunëtori i tij ka thënë fjalët më të mira për veprën dhe jetën e Demaçit.

“Më preku jashtëzakonisht shumë për faktin se ai nuk ka qenë vetëm idol i imi por ka qenë idol i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Të gjithë e kanë quajtur simbol të çështjes kombëtare, lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës”.

“Ka jetuar, punuar dhe vdekur me nder dhe siç i keni parë edhe reagimet e opinionit publik gjatë ditës së djeshme dhe të sotme, të gjithë e identifikojnë veten me të, me punën dhe rolin e tij për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës dhe i janë të gjithë mirënjohës”.

Kiçmari në Info Magazine të Klan Kosovës ka deklaruar se shteti dhe shoqëria nuk kanë bërë sa duhet për tashmë të ndjerin Adem Demaçin.

“Statusi i Demaçit është përtej kryetarit të shtetit, kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, përtej secilit qytetar të Kosovës për faktin se ai me punën e tij, jo vetëm në periudhën kur është vetësakrifikuar me vetëdije të plotë (qëndrimi në burg) në një moment kyç të historisë sonë por edhe angazhimet e tij të mëtejme sidomos gjatë luftës së Kosovës kur ka marrë rol prijës politik në një moment tjetër kyç të historisë tonë”.

“Ai nuk ka hezituar të qëndrojë në Prishtinë, gjatë kohës kur shumica e qytetarëve të Kosovës hulumtonin të gjitha mundësitë për t’u larguar. Ai ecën, shëtit në qytet, tregon prezencën e shqiptarëve – është diçka e jashtëzakonshme për një njeri të rëndomtë”.

“Nuk mund të themi se shteti dhe shoqëria ka bërë mjaftueshëm, madje mund të them se herë-herë nuk është kuptuar drejtë, është keqkuptuar derisa jo rrallë nuk i është dhënë statusi i merituar në shoqëri dhe shtet. Kemi obligim të gjithë ndaj tij”.

Sipas Kiçmarit, trimëria e atij që njihet si “Mandela e Ballkanit” ishte e pashoq. Madje, ai e ka cilësuar si një njeri përtej të zakonshmes.

“Ai ka qenë jashtëzakonisht trim, nuk njoh njeri tjetër në jetën time dhe jam gjatë në veprimtari politike, të ketë aq guxim sa ka pasur Adem Demaçi. Guximi i tij i kalon përmasat e një njeriu të rëndomtë”.

“Parashikimet e tij politike i kanë kaluar vazhdimisht përmasat e një njeriu dhe analisti të rëndomtë”.

“Në vitet 1950 – 1960 ka pasur një akomodim të një pjese të elitës intelektuale me politikën por kur atij (Adem Demaçit) i afrohet që të bëhet anëtar partie, ky jo që heziton por u thotë hapur se nuk bëhem anëtar i Lidhjes Komuniste se nuk e ka zgjedhur drejt çështjen shqiptare. Është momenti i parë i guximit të tij”.

“Njëjtë ndodh kur pranon detyrën e Përfaqësuesit të Përgjithshëm të UÇK-së, hap zyrën e tij në mes të Prishtinës dhe komunikon me diplomatë të vendeve të tjera që ishin të interesuar të informohen drejtpërdrejtë mbi zhvillimet në Kosovë”.

“Ka qenë i tillë, i jashtëzakonshëm dhe kemi humbur shumë – një njeri që u thotë politikanëve dhe qytetarëve të vërtetën në sy, edhe kur ajo është e hidhur”.

“Ai nuk ka hezituar të japë mendimin e tij, edhe kur është keqkuptuar, edhe për tema të ndjeshme. Në shumicën absolute të rasteve, ka pasë të drejtë”.

Për më shumë, ndiqeni videon e mëposhtme:

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje