Kina në mbështetje të Serbisë, kundërshton ndryshimin e formatit të seancave për...

Kina në mbështetje të Serbisë, kundërshton ndryshimin e formatit të seancave për Kosovën

Zëvendësambasadori kinez pranë OKB-së, Vu Haitao, ka thënë në mbledhjen e KS të OKB se vendi i tij mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë.

Ai tha se Kina i kundërvihet mandatit të seancave për UNMIK-un ose ndërrimin e formatit, në të cilin Këshilli i Sigurimit njoftohet me zhvillimin e situatës në Kosovë.

Ndërsa, përfaqësuesja e Francës në OKB ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen nga çdo deklaratë që çon në tensionime, duke kërkuar përkushtim më të madh të Serbisë dhe Kosovës në procesin e dialogut me ndërmjetësimin e BE-së, transmeton KP.

Ajo gjatë fjalës në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit për Kosovën tha se strategjia për Ballkanin Perëndimor e votuar më 16 shkurt nga BE-ja, tregon përkushtimin evropian për perspektivën evropiane të këtij rajoni.

Diplomatja franceze ka kërkuar angazhim më të madh në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ndërsa ka përshëndetur ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

“Ne kemi qenë gjithmonë krah për krah me Kosovën. Ne ftojmë autoritetet e Kosovës të vazhdojnë me zhvillimin e vendit dhe ftojmë subjektet politike të krijojnë konsensus për çështje të vendit”, është shprehur ajo.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje