Klubi i Prodhuesve kërkon që të bojkotohet panairi “Prishtina 2018”

Klubi i Prodhuesve kërkon që të bojkotohet panairi “Prishtina 2018”

Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka shprehur pakënaqësinë se si paratë e taksapaguesve kosovarë po shfrytëzohen në promovimin e kompanive serbe në Kosovë, përkatësisht në panairin “Prishtina 2018”, të cilin e organizon Oda Ekonomike e Kosovës (OEK).

“Duhet theksuar se 17 vjet pas përfundimit të luftës, asnjë kompani e Kosovës nuk është ftuar apo nuk ka marr pjesë në ndonjë panair në Serbi. Ndërsa në panairin kryesor ndërkombëtarë në Kosovës nga gjithsej 174 kompani që marrin pjesë, mbi 50 për qind janë nga Serbia. Për Klubin e Prodhuesve të Kosovës kjo është e papranueshme kur merren parasysh të gjitha vështirësitë me të cilat ballafaqohen prodhuesit kosovar në raport me politikat dekurajuese të shtetit serb”, është thënë në reagimin e Klubit të Prodhuesve të Kosovës.

Me tej thuhet se për Klubin e Prodhuesve të Kosovës është e papranueshme se si një hapësirë kaq e konsiderueshme po u jepet promovimit të kompanive serbe në tregun e Kosovës, e ku në të njëjtin panair ka pasur shumë pak të ftuar nga radhët e prodhuesve kosovar për pjesëmarrje.

“Gjithashtu duhet cekur që misioni i Odës Ekonomike të vendit është promovimi strategjik i interesave të zhvillimit ekonomik të vendit, e jo promovimi i interesave personale të kujtdo qofshin ato. Për fund, Klubi i Prodhuesve të Kosovës i bënë ftesë të gjitha kompanive kosovare pjesëmarrëse në këtë panair që në shenjë proteste ta bojkotojnë këtë panair”, është theksuar në reagimin e Klubit të Prodhuesve të Kosovës.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje