Komisioni nuk miraton Projektligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme

Komisioni nuk miraton Projektligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme

Komisioni për Legjislacion nuk e ka miratuar në parim Projektligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Kështu ky projektligj i ka shkuar seancës për diskutim në parim pa votën e komisionit, meqë opozita kundërshtoi ashpër, duke e quajtur atë projektligj që mbron krimin dhe dëmet që i janë shkaktuar vendit me procesin e privatizimit.

Pesë vota ishin kundër, katër vota për dhe një abstenim. Pikërisht abstenimi i deputetit të Listës Serbe dhe mungesa e deputetit të Nismës Bilall Sherifi në kohën e votimit, bëri që ky projektligj të mos kalojë.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, e quajti të papranueshëm këtë projektligj, duke thënë se ende nuk është e qartë se cili do të jetë mandati i misionit të EULEX-it, në Dhomën e Posaçme brenda Gjykatës Supreme.

“Për Vetëvendosjen ky Projektligj është i papranueshëm edhe në aspektin procedural edhe në atë përmbajtësor. E para është ajo që tash ndryshon që vetëm një gjyqtar i vetëm duhet ta trajtojë një lëndë që ka të bëj me ndonjë kontest në aspektin e privatizimit, përpara kanë qenë kolegje dhe për mua kjo është goxha problematike sepse le edhe hapësira të korrupsionit, për shkak se shumë më lehtë është të ndërhyhet në vetëm një gjyqtar sesa në një kolegj prej tre gjyqtarëve”, tha Haxhiu.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka paraqitur dy probleme kryesore në këtë Projektligj.

“Elementi i parë është ndryshimi i vendimmarrjes, kemi pas një sistem të vendimmarrjes kolegjiale ose kolektive, kalimi në vendimmarrje individuale, gjykim individual, pra gjyqtari vendos vetë për lëndën, nuk ka vendim kolegjial, ju e dini që koncepti i vendimeve kolegjiale kur është shpikur në gjenezë, është shpikur si shkallë më e vështirë e vendimmarrjes… Problemi i dytë ka të bëj me dyshkallshmërinë, ne këtë koncept e kemi dizajnuar dhe implementuar që sa vite, pra dyshkallshmëria është problem, sepse ne kur themi sa shkallë të gjykimit i kemi, themi tri, Gjykata e faktit, Gjykata e Apelit, Gjykata Supreme, dhe tash kur themi për çështje të privatizimit sa shkallë të gjykimit i kemi, themi dy dhe ku janë ato shkallë të gjykimit, në Gjykatë Supreme, në një nivel po bien”, theksoi Gashi.

Ndërsa, anëtari i këtij komisioni nga PSD-ja, Frashër Krasniqi, e ka quajtur procesin e privatizimit, një prej proceseve më të dëmshme sa i përket rrënimit ekonomik dhe industrial të Kosovës.

“Privatizimi nuk ka mundur të zhvillohet në atë mënyrë siç është zhvilluar në aspektin korruptiv dhe keqpërdorues pa e pasur nën kontroll Dhomën e Posaçme. Problemi për mua me krijimin e kësaj dhome është se nuk e di pse po krijojmë mekanizma dhe po miratojmë ligje “ad hock” duke treguar që nuk kemi kurrfarë strategjie si shtet për me e pas një sistem të drejtësisë të unifikuar i cili funksionon me strategji afatgjatë”, deklaroi Krasniqi.

Sipas tij, fakti që Dhoma e Posaçme futet në kuadër të Gjykatës Supreme dhe e ka kryetarin e njëjtë, e mohon të drejtën e palëve për apelim.

Pozita kërkoi miratimin e këtij projektligji, duke thënë se dikush duhet t’i zgjidh mbi 20 mijë lëndë që lidhen me AKP-në.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, tha se me këtë projektligj mbrohen palët, derisa ka kritikuar kolegët e tij opozitarë për qasjen ndaj kësaj çështje.

“Mua po me befason qëndrimi i opozitës që na ka pas lodhur në të kaluarën duke thënë duhet EULEX-it mos t’i vazhdohet mandati, duhet gjyqtarëve të tyre t’iu përfundoj dhe kjo ne e dimë që me 14 qershor të muajit që shkoj i ka përfunduar mandati EULEX-it dhe ne duhet të kompletoj dhe të marrim si progres të institucioneve tona që po i marrin detyrat dhe kryejnë obligimet e tyre. Mendoj që ne mund të ndalemi në parim, ka probleme teknike, mund të ketë probleme teknike dhe për këtë është leximi i dytë dhe mes dy leximeve mund ta japim kontributin”, theksoi Beqa.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Bilall Sherifi, e quajti të domosdoshëm këtë projektligj. Derisa për analizën e procesit të privatizimit tha se mund ta thërrasin një seancë të jashtëzakonshme që të diskutojnë, por jo duke shqyrtuar këtë projektligj.

“Po, ka çka përmirësohet ky ligj por ky ligj është i domosdoshëm, mendoj që është i domosdoshëm nëse dëshirojmë që ato 17 mijë e sa lëndë që janë duke pritur t’iu hapim rrugë. Sa kohë do të merr për t’i zgjidhur këto nuk e di, mbase pas dy tri viteve mund të vijmë se ky ligj nuk paskemi qenë i duhur, nuk i paska mjaftuar t’iu jap zgjidhje gjithë atyre rasteve dhe lëndëve që janë duke pritur. Prandaj, ta kalojmë në seancë, secila parti le të votoj sipas bindjes së vet”, u shpreh Sherifi.

Ndërsa, deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, ka thënë se projektligji dhe AKP-ja, janë të ndara.

“Mendoj që ky projektligj që kemi para vetes dhe AKP-ja janë të ndara. Ne jemi duke vendosur për çështjen e rregullimit të çështjes së një gjykata që do t’i rregulloj lëndët e kontestueshme që kryetarja e komisionit thotë se janë mbi 21 mijë. Neve po duam t’i japim hapësirë vetes që të themi se kjo nuk e rregullon atë çështje. Nuk janë çështje e proceseve të mira apo këqija të privatizimit, ka familje që është pushkatuar pas vitit 45 nga regjimi komunist, iu ka marrë prona nga ish Jugosllavia komuniste dhe nuk ka pasur dokumentacion ajo familje hiq më sepse shteti ia ka marrë pronën dhunshëm dhe ata presin sot ta zgjidh këtë problem. Nuk ka problem ai me privatizim, por është pronar i asaj prone që e ka paguar me gjak”, tha ai.

Ky projektligj ishte në diskutim në seancë të jashtëzakonshme plenare, por me marrëveshje grupet parlamentare vendosën që shqyrtimin ta bëjë Komisioni për Legjislacion. Ndërsa, pas shqyrtimit në Komision, projektligji do të dal në seancë plenare më 9 korrik.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje