Kompetencat e EULEX-it sfidojnë institucionet e Kosovës

Kompetencat e EULEX-it sfidojnë institucionet e Kosovës

Të gjitha kompetencat ekzekutive, të cilat deri më tani Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) i ka ushtruar në Kosovë, që nga data 1 korrik e këtij viti, do t’u kalohen institucioneve vendore.

Njohësit e fushës së ligjit dhe të sigurisë në Kosovë, vlerësojnë se misioni EULEX, i cili që nga qershori i vitit 2014, e kishte të kufizuar mandatin dhe merrej vetëm me rastet e jashtëzakonshme penale.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, duke folur për “Radion Evropa e Lirë”, ka thënë se misioni i ri i EULEX-it, pas datës 30 qershor, do të jetë vetëm mbikëqyrës dhe këshillëdhënës, kryesisht për rastet penale, për të cilat ky mision mund të vlerësojë se janë më të rëndësishme dhe do të përpilojnë raportet nëse gjykatat dhe prokuroritë vendore e kryejnë punën sipas ligjit, në mënyrë të pavarur dhe të drejtë.

“Misioni i ri i EULEX-it, pas kësaj date (30 qershor) do të jetë kryesisht i fokusuar edhe në fushën e zbritjes së dëshmitarëve dhe lehtësimit të ushtrimit të mandatit të Gjykatës Speciale (për krime të luftës në Kosovë) me rastin e ngritjes së aktakuzave dhe procesit të arrestimit të personave, të cilët mund të jenë të akuzuar nga Gjykata Speciale”.

“Në këtë drejtim, autoritetet e Kosovës, në këtë rast autoritetet gjyqësore dhe prokuroriale, nga muaji korrik i këtij viti, do të jenë të vetmet institucione, të cilat do të kenë për obligim që të hetojnë, të ndjekin penalisht dhe të gjykojnë të gjitha veprat penale që kryhen në territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Miftaraj.

Mentor Vrajolli, analist i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, ka thënë se marrja e kompetencave nga EULEX-i, për institucionet e drejtësisë së Kosovës nënkupton edhe marrjen e përgjegjësisë së plotë, e cila deri më tash ka qenë e ndarë. Bartja e kompetencave, sipas tij, tashmë është vetëm çështje teknike.

“EULEX-i ka pasur edhe ashtu një mision të reduktuar. Kompetencat, të cilat do të barten, janë rastet, të cilat kanë qenë ende të administruara nga prokurorët dhe gjykatësit e EULEX-it. Këto besoj që do të barten te gjyqtarët vendorë. Kjo, madje është nevojë teknike, për shkak se rastet e hapura duhet të përfundohen nga gjykatës të njëjtë që kanë hapur ato raste. Prandaj, mendoj se kjo është e domosdoshme”, ka thënë Vrajolli.

Por, a janë mjaft të përgatitura institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë për pranimin e kompetencave të tërësishme nga misioni i EULEX-it?

Miftaraj ka thënë se gjykatat dhe prokuroritë vendore kanë shënuar rritje në aspektin e resurseve njerëzore, por në aspektin profesional, mbetet ende pikëpyetje. Kjo për faktin se, sipas tij, deri më tash është dëshmuar në një numër të madh të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, se nuk kanë qenë në gjendje t’i trajtojnë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme. Siç thotë ai, kjo do të jetë sfidë e madhe në të ardhmen për institucionet.

“E vetmja mënyrë që në Kosovë të vihet rend dhe ligj, të funksionojë sundimi i ligjit, duhet të kalojë përmes dy proceseve të pashmangshme, siç janë: procesi i vetingut për gjyqtarë, prokurorë dhe policë, si dhe për të themeluar një prokurori dhe gjykatë të veçantë, e cila do t’i trajtojë vetëm krimin e organizuar dhe korrupsionin”.

“Kjo prokurori dhe gjykatë, do të duhej të përbëhej nga gjyqtarë dhe prokurorë me integritet, të guximshëm dhe të cilët kalojnë përmes një verifikimi, i cili duhet të udhëhiqet kryesisht nga partnerët tanë ndërkombëtarë që kanë ndihmuar më së shumti Kosovën, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Britania”, është shprehur Miftaraj.

Por, sipas Vrajollit, nuk është çështje më e rëndësishme, nëse institucionet vendore të sundimit të ligjit janë apo jo të përgatitura për t’u përballur me sfidat që ofrojnë kompetencat që do të merren nga EULEX-i.

“Mendoj se arsyeja se pse institucionet e Kosovës nuk janë të përgatitura, është për shkak të mungesës së përgjegjësisë së plotë (deri më tash). Vetë fakti që institucionet e Kosovës, për çdo dështim kanë fajësuar EULEX-in dhe ngjashëm, EULEX-i, për çdo dështim ka fajësuar institucionet vendore, kjo i ka amnistuar të dyja palët për dështimet. Tashmë edhe përkundër faktit që institucionet e Kosovës mund të jenë të papërgatitura, faji mund të adresohet lehtë. Pala vendore do t’i marrë qind për qind përgjegjësitë për dështime dhe mendoj se ky do të jetë fillimi ku sistemi i drejtësisë në Kosovë do të fillojë të ndërtohet”, ka theksuar Vrajolli.

Sidoqoftë, më 4 qershor të këtij viti, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka dorëzuar tek autoritetet e Bashkimit Evropian letërkëmbimin me shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, me të cilën përmbyllet mandati i deritashëm i misionit të EULEX-it.

Ky mision kishte ardhur në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së vendit në vitin 2008. Misioni i EULEX-it ishte krijuar për t’i ndihmuar institucionet, organet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit në Kosovë.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje