Kosova do ta aplikojë vendimin për masa mbrojtëse për qumështin nga Bosnja

Kosova do ta aplikojë vendimin për masa mbrojtëse për qumështin nga Bosnja

Të hënën më 23 prill, duhet të fillojë aplikimi i vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), për masat mbrojtëse për qumështin i cili importohet nga Bosnja dhe Hercegovina.

Këto masa ishin marrë për shkak se qumështi nga ky vend në tregun e Kosovës shitet më lirë sesa në vendin e origjinës e më këtë po dëmtohen prodhuesit vendorë të qumështit.

Durim Limaj, shefi i kabinetit të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka thënë se vendimi për masa mbrojtëse për qumështin i cili importohet nga Bosnja e Hercegovina do të aplikohet ashtu siç është paraparë.

“Mund ta konfirmoj që vendimi i ka shtatë ditë afat ligjor deri në hyrje në fuqi. Nuk kemi ndonjë vendim tjetër deri më tani”, ka thënë Durim Limaj për “Telegraf”-in.

Portali nga Bosnja dhe Hercegovina www.klix.ba ka raportuar se presidenti i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq gjatë takimit në Shkup me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, janë dakorduar që Kosova ta shtyjë afatin për vendosjen e masave mbrojtëse për qumështin nga Bosnja e Hercegovina.

Kurse, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka njoftuar më 16 prill, se vendimi për masa mbrojtëse për qumështin është bazuar në kompetencat ligjore në pajtim me nenin 1 dhe paragrafin 1, të nenit 2, të Ligjit nr. 041/L-047, si dhe dispozitat përkatëse të Marrëveshjes së CEFTA-s.

“Vendimi ka ardhur pas një hetimi që është konstatuar se importi nga Bosnja dhe Hercegovina është rritur mbi masën 20 për qind dhe ka ndikuar në dëmtimin e produkteve vendore për faktin se importi i produkteve të qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina është me çmim të ulët i cili është nën koston e prodhimeve vendore të qumështit”, kishte njoftuar MTI-ja.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje