Kosova përfaqësohet në Samitin e BE-së në Sofje

Kosova përfaqësohet në Samitin e BE-së në Sofje

Përfaqësimi i Kosovës në Samitin e Bashkimit Evropian në Sofje më 16 dhe 17 maj, ishte një nga temat kryesore të takimeve të kryeministrit të Bullgarisë Boyko Borissov me udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës.

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, ka siguruar Prishtinën zyrtare se shteti i tij që aktualisht kryeson presidencën e Bashkimit Evropian, e ka ftuar presidentin Kosovës Hashim Thaçi, që të jetë pjesë e samitit.

“Kosova do të përfaqësohet ashtu siç e kanë njohur mbi 100 shtete. Siç e ka njohur edhe Bullgaria. Kurse për ato që nuk e kanë njohur, do të gjejmë një zgjidhje”, ka thënë Borissovi, raporton “Rel”.

Dilemat rreth përfaqësimit të Kosovës si shtet në Samitin e Sofjes ishin shtuar pas disa paralajmërimeve nga zyrtarët shtetërorë nga Spanja, se nuk e shohin veten komod në një samit ku përfaqësohet edhe një shtet si Kosova, të cilin ky vend nuk e njeh. Janë pesë shtete të BE-së të cilat nuk e pranojnë Kosovën, andaj, Bullgaria si nikoqire është duke gjetur një formë që në samit të jenë të përfaqësuar të gjithë.

Ai ka thënë se Bullgaria do ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj integruese dhe se Kosova e ka vendin e saj në Bashkimin Evropian. E këtë fakt ai ka thënë se e përmend çdo herë në takimet që zhvillon edhe me vendet tjera të rajonit.

Borissovi, u bëri thirrje liderëve të Ballkanit Perëndimor që të lënë mënjanë egoizmat personale, ngase kjo sipas tij, është fatale për të ardhmen e këtyre shteteve.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje