KOSST-i kërkon nga Qeveria edhe 1 milion euro për veriun

KOSST-i kërkon nga Qeveria edhe 1 milion euro për veriun

Kryeshefi ekzekutiv i Sistemit të Operatorit Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Ilir Shala, ka kërkuar sot nga qeveria 1 milion euro shtesë për mbulimin e humbjeve në pjesën e veriut.

Këtë kërkesë Shala e ka bërë gjatë raportimit në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturës, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.

Deputetja e LDK-së, e cila është edhe anëtare e këtij komisioni,  Hykmete Bajrami, ka thënë se KOSTT-i prej fillimit nuk e ka marrë energjinë nga KEK-u por ka marrë borxh edhe nga rrjeti evropian, po ashtu edhe nga KEK-u për ta mbuluar me energji pjesën veriore. “Nuk keni blerë energji nga KEK-u. Është tërhequr energjia prej rrjetit evropian me çmim më të lartë 11 euro dhe pastaj edhe te KEK-u keni filluar me marrë borxh në fund. Pse ka ndodhur kjo?”, ka pyetur Bajrami.

Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Ilir Shala, në përgjigjen e tij ka thënë se nuk ka pasur prodhim të mjaftueshëm dhe as rezerva  për ta furnizuar me energji veriun nga KEK-u. “Rreth 5 milionë e gjysmë euro kemi krijuar obligime ndaj rrjetit evropian të energjisë. Prej 2 dhjetorit deri më 3 mars kemi marrë energji nga rrjeti evropian. I kemi dy borxhe; ndaj Evropës dhe ndaj KEK-ut. Kemi vepruar kështu në bazë të vendimit të qeverisë që mos të bëhet ndonjë dëm në procesin ligjor”, ka thënë Shala.

Deputetja Duda Balje nga grupi parlamentar 6+ (Gjashtë Plus), ka thënë se është bërë shkelje e të drejtave të njeriut me çështjen e pagesës në veri.

Me këtë konstatim të saj nuk u pajtua përfaqësuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Arsim Janova, i cili tha se nëse ka shkelje të të drejtave të njeriut, atëherë për këtë vendos gjykata. Deputetja Duda Balje sërish përsëriti duke thënë se janë bërë shkelje të të drejtave të njeriut. “Deri kur qytetarët kanë paguar nuk ka pasur probleme, por pasi mori vendim gjykata erdhën probleme”, ka thënë Balje.

Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Ilir Shala, ka thënë se ky institucion (KOSTT-i) nuk merret me faturimin dhe inaksimin e mjeteve për pjesën veriore apo çfarëdo pjese.

Ai ka thënë këtë përgjegjësi e ka KESCO. “KOSTT-i është kompani e rregulluar dhe monitoruar nga ZRrE-ja. Ne nuk merremi me faturimin dhe as me inkasimin e mjeteve për pjesën veriore apo jugore. Këtë përgjegjësi për faturim dhe inkasim e ka KESCO. Pra, nuk është në përgjegjësinë e KOSTT-it. Ne jemi zbatues të vendimeve apo udhëzimeve të ZRrE-së”, ka thënë Shala.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje