Kryeimami i BIK mbron në Gjykatë hoxhallarët e akuzuar për terrorizëm

Kryeimami i BIK mbron në Gjykatë hoxhallarët e akuzuar për terrorizëm

“Me disa aktakuza ndaj imamëve të Kosovës është bërë më shumë propagandë mediatike. Nëse vërtetohet fajësia e tyre, atëherë ne do t’i respektojmë vendimet e drejtësisë, por nëse vërtetohet se ata janë të pafajshëm, ne presim një kërkim falje ndaj BIK’ut”.

Këto kanë qenë fjalët e kryeimamit të Kosovës Sabri Bajgora, pasi ka përfunduar deklaratën e tij dhënë para gjykatës, ku ka qenë i thirrur në cilësinë e dëshmitarit, në gjykimin kundër imamëve, transmeton Gazeta Express.

“Unë nuk e ndi veten aq mire dhe komod kur shoh që dy prej kolegëve të mi që janë në sallë, po gjykohen për një rast i cili ndoshta mund të hy në sferën e lirisë së shprehjes, andaj kërkojë nga trupi gjykues që të ketë në konsideratë edhe instruksionet e BIK, sepse ekziston një bindje që ne lidhje me disa aktakuza është bërë me tepër një propagandë mediatike, por megjithatë ne besojmë fuqishëm ne drejtësinë e vendit tonë, dhe pavarësisht pozicioneve tona nëse vërtetohet fajësia e tyre atëherë ne i nënshtrohemi verdiktit të drejtësisë. Por nëse vërtetohet e kundërta, ne shpresojmë të paktën një kërkim falje publike edhe për BIK’un dhe familjet e tyre”, ka thënë Bajgora

Ndërkohë Prokurori i rastit Haki Gecaj e ka kundërshtuar këtë konstatim të Bajgorës.

Sabri Bajgora

“Unë si prokuror nuk pajtohem me një konstatim të tillë. Ne si prokurori kemi obligim ligjore te ndjekim kryesit e veprave penale, te cilat janë te parapara me ligj. Po ashtu kemi obligim ligjore t’i vlerësojmë rrethanat fajësuese dhe shfajësuese për një të akuzuar, dhe ne asnjë mënyrë nuk kemi të drejtë t’i akuzojmë personat në bazë të një propagande. Ne, akuzat i ngrisim kur mendojmë se kemi prova të mjaftueshme, për dyshimin e bazuar se një person ka kryer veprën penale”, ka deklaruar Gecaj.

Ndryshe sot po mbahet gjykimi ndaj Fuad Ramiqit dhe katër imamëve tjerë, Bedri Robajt, Idriz Bilibanit, Enes Gogës dhe Mazllam Mazllamit, të cilët akuzohen për vepra që lidhen me terrorizëm dhe thirrje për rezistencë.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje