Kurti për ndërhyrjen në Siri: Ishte e nevojshme, diktatorët duhet të lëshojnë...

Kurti për ndërhyrjen në Siri: Ishte e nevojshme, diktatorët duhet të lëshojnë udhë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar ndërhyrjen ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës dhe Britanisë në Siri, njofton Klan Kosova.

Ai ka shkruar në Facebook se kjo ndërhyrje ishte e nevojshme.

“Duam paqen, e nuk gëzohemi për asnjë luftë, mirëpo agresioni mizor ndaj civilëve nuk mund të na lërë indiferentë, sidomos neve që e kemi parë e pësuar vetë, në Kosovën tonë”, shkruan Kurti në Facebook.

“Dëshira jonë do të ishte zgjidhja përmes rrugëve paqësore, përmes diskutimit e bashkëpunimit, por etja e diktatorëve për pushtet nuk i lejon këto. Prandaj ishte e nevojshme ndërhyrja, së paku për t’i ndalur kapacitetet e tyre luftarake që po i përdorin për të masakruar popullin e vet”.

“Urojmë që të marrë fund sa më shpejt katastrofa njerëzore në Lindjen e Mesme, dhe shpresojmë, me sa më pak viktima. Diktatorët duhet të lëshojnë udhë – e vetmja mënyrë e politikëbërjes kombëtare e ndërkombëtare duhet të jetë demokracia sepse ajo i bën popujt sovranë”.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje