Kuvajti i gatshëm të ndihmojë Kosovën në punësim

Kuvajti i gatshëm të ndihmojë Kosovën në punësim

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, po qëndron në një vizitë zyrtare në Kuvajt, me ftesë të homologes së tij, Hind Sabeeh Barak Al-Sabeeh, me të cilën bisedoi për gjendjen socio-ekonomike në vendit tonë dhe përpjekjet e Qeverisë së Kosovës në uljen e papunësisë.

Në kuadër të kësaj, Reçica theksoi përkushtimin e tij dhe të dikasterit që drejton në arritjen e marrëveshjeve për punësim sezonal në shtete të BE-së dhe më gjerë dhe në këtë rast, edhe me shtetin e Kuvajtit, ku shtoi se Kosova ka kuadro të përgatitura dhe të certifikuara, të gatshme për tregun e punës jashtë vendit.

Ministrja Hind Sabeeh Barak Al-Sabeeh tha se Kuvajti ka nevojë për fuqi punëtore në disa profile dhe shprehi gatishmërinë e plotë që një marrëveshje e tillë të arrihet sa më parë për punësim të qytetarëve të Kosovës, në shtetin e Kuvajtit.

Temë diskutimi ishte edhe bashkëpunimi për ngritjen e mirëqenies së disa kategorive në Kosovë si, personave të moshuar, fëmijëve, si dhe grupeve të cenueshme, ku ministri kërkoi ndihmën e Qeverisë së Kuvajtit për ndërtimin e disa qendrave, për persona të moshuar, për banim social si dhe për fëmijë pa përkujdesje familjare.

Ministrja Hind Sabeeh Barak Al-Sabeeh ofroi mbështetjen dhe gatishmërinë e Qeverisë së Kuvajtit për ta ndihmuar Kosovën në këto çështje dhe u dakorduan bashkërisht që këto projekte të konkretizohen sa më parë.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje