Kuvendit i prezantohet rezoluta e opozitës për dialogun

Kuvendit i prezantohet rezoluta e opozitës për dialogun

Në Kuvendin e Kosovës, opozita ka prezantuar një rezolutë në lidhje me dialogun politik me Beogradin që po zhvillohet në Bruksel, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Rezoluta e propozuar nga Partia Socialdemokrate, mes tjerash kërkon që Kuvendi të merr rolin udhëheqës në bisedime me Serbinë, duke ia kontestuar rolin aktual presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Gjatë debatit, partitë në pushtet kanë kërkuar nga opozita që në vend të kritikave të përfshihen në një ekip gjithëpërfshirës dhe të bëhen pjesë e dialogut. Por, opozita në anën tjetër ka insistuar që presidenti Hashim Thaçi të mos e përfaqësojë më Kosovën në dialog.

Visar Ymeri nga Partia Socialdemokrate, si nismëtare e këtij debati tha se ka ardhur koha që Kuvendi të merr përsipër çështjen e dialogut, duke ia pamundësuar presidentit të Kosovës, hashim Thaçi që ta përfaqësojë vendin në tavolinën e bisedimeve me Serbinë në Bruksel.

Përfundimisht, tha Ymeri, Kuvendi i Kosovës duhet ta merr sipër çështjen e dialogut dhe marrëveshjes eventuale me Serbinë.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se dialogu është mjet i vetëm për arritjen e marrëveshjeve. Po ashtu, ai tha se LDK e mbështetë normalizimin e raporteve fqinjësore me Serbinë. Por, LDK konsideron se përfaqësimi i Kosovës në dialog, nuk është adekuat pasi që, sipas këtij subjekti politik, aktualisht nuk ka institucione legjitime.

“Aktualisht institucionet nuk kanë legjitimitet për përfaqësimin e Kosovës në dialog, sepse është qeverisje e pakicës”, tha Hoti.

Marrëveshja përfundimtare të Serbinë, theksoi Hoti, nënkupton njohje reciproke e cila i mundëson Kosovës anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, përfshi edhe Kombet e bashkuara.

“Marrëveshja duhet të arrihet duke mos cenuar integritetin territorial të Kosovës”, nënvizoi Hoti, duke shtuar se LDK është e gatshme të bëhet pjesë e dialogut, por vetëm pas zgjedhjeve të lira dhe pas formimit të institucioneve të reja.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës, e cila është në pushtet, ftoi partitë opozitare që të bashkohen në ekipin gjithpërfshirës për hartimin e një platforme të përbashkët për përfaqësimin e Kosovës në dialog.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi tha se tash po hyhet në fazën finale të bisedimeve me Serbinë. Andaj, ai kërkoi konsensus dhe gjithpërfshirje të forcave politike në Kosovë.

Krasniqi tha se nuk mund të kontestohet rolin prijës të presidentit të Kosovës në dialog, duke e rikujtuar opozitën në kompetencat kushtetuese që i ka presidenti.

“Askush nuk duhet t’i frikësohet dialogut. Procesi drejtohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga SHBA”, tha Krasniqi.

Në anën tjetër, deputeti opozitar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjfca tha se deri vonë, dialogu me Serbinë ishte konceptuar nga presidenti Thaçi si një proces që i takon atij dhe vetëm së fundit është kuptuar se ai, sipas tij, ka mbetur i vetëm në këtë proces.

“Në këtë dialog, për çka është duke folë Kosova. Për të drejtat e serbëve të Kosovës apo për të drejtat që po i kërkon Serbia në Kosovë”, tha Konjufca. Sipas tij, gjithçka po zhvillohet rreth të drejtave të Serbisë që po i kërkon në Kosovë dhe nuk po diskutohet për të drejtat e komunitetit serb, ngase siç tha Konjufca, komuniteti serb është komuniteti më i privilegjuar për kah të drejtat në Evropë.

Andaj, tha ai, ambiciet e Serbisë dhe Vuçiqit në dialog, duhet refuzuar.

Rrjedhimisht ai kërkoi që Kuvendi me anë të rezolutës të kërkojë ndërprerjen e këtij formati të dialogut. Ai kërkoi edhe vendosjen e reciprocitetit në raportet mes të drejtave të serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi, si dhe që të kërkohet që presidentit Thaçi t’i merret e drejta e përfaqësimit të Kosovës në dialog.

Ndryshe nga Konjufca, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmeti Isufi ftoi opozitën që të bashkohet në këtë proces në mënyrë që Kosova të nxjerr një marrëveshje të favorshme.

Ai tha se propozimet që u paraqiten për rezolutën në Kuvend duhet të harmonizohen në mënyrë që në dialog Kosova të shkoj me përfaqësim unik dhe të kërkoj marrëveshje normalizimi dhe jo marrëveshje që ka të bëj me sovranitetin dhe integritetin e vendit.

Ndërsa debati po vazhdonte, Kuvendi mori lajmin për vdekjen e veprimtarit politik, Adem Demaçi, kështu që u vendos që kjo seancë për dialogun të vazhdojë një ditë tjetër.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje