Lista Serbe monopolizon mendimin politik të serbëve

Lista Serbe monopolizon mendimin politik të serbëve

Beogradi zyrtar, përmes Listës Serbe, ka krijuar monopol në politikën përfaqësuese të komunitetit serb në Kosovë, pavarësisht se në mesin e komunitetit serb ekzistojnë mjaft zëra që shprehin mendime të ndryshme karshi politikës aktuale të autoriteteve të Serbisë, vlerësojnë njohësit serbë të zhvillimeve politike.

Kohë më parë, peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, i kishte dërguar letër të hapur presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në të cilën i kishte shkruar se ndarja e territoreve do të shkaktonte shpërnguljen e serbëve nga Kosova dhe fatkeqësinë për trashëgiminë kulturore. Presidenti serb, Vuçiq, ka akuzuar Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë se nuk dëshiron kufij etnik, ndërkohë që ajo kërkon nga Qeveria e Kosovës para.

Në mbrojtje të Vuçiqit ishte hedhur edhe Lista Serbe.

Kjo e fundit ka quajtur edhe politikanin serb të Kosovës, Momçilo Trajkoviq “intelektual i vetëquajtur, që hedh gënjeshtra dhe godet ekipin e vet të negociatave”, për shkak se Trajkoviq kishte thënë se Vuçiq nuk ka plotësuar asnjë nga premtimet që u ka dhënë serbëve të Kosovës.

Momçilo Trajkoviq ka theksuar se monopoli mbi përfaqësimin politik të serbëve të Kosovës nga Lista Serbe, ka ngulfatur të gjithë zërat që shprehin mendim të kundërt me të atë të kësaj partie.

“Ka krijuar monopol të fuqishëm dhe për rreth tyre nuk ekziston askush ose është vështirë të depërtosh dhe të japësh mendimin personal. Por, ky nuk është monopol, të cilin e ka krijuar vet Lista Serbe. Para së gjithash mendoj në Beogradin, në autoritetet në Beograd me ndihmën e autoritete në Kosovë, sepse pa një marrëveshje dhe pajtim të autoriteteve të Kosovës, Lista Serbe nuk do të mund të funksiononte në mënyrën që funksionon. Pra, Lista Serbe është fryt i marrëveshjes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, gjegjësisht ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi”, theksoi Trajkoviq.

Rangjel Nojkiq, ish-deputet i kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, thotë qe Beogradi këtë monopol po e mbanë fuqishëm nën llupën e kontrollit, për të parandaluar pengimin e planeve të saj nga kushdo qoftë prej politikanëve apo edhe intelektualëve tjerë serbë të Kosovës.

“Mendoj që në këtë moment, kur bëhet fjalë për përfaqësuesit serbë, këtu mbretëron njëmendësia dhe këtu kushdo që mendon ndryshe, do të dënohet. Ne jemi dëshmitarë, kur para disa muajve Vuçiq i ftoi të gjithë aktorët politikë që të përfshihen në gjetjen e zgjidhjes, duke menduar se të gjithë mendojnë ashtu siç mendon ai. Në momentin që dëgjoi zërat që ishin kundër dhe që nuk përputheshin gjërat që Vuçiq i mendonte, menjëherë pasuan dënimet”.

“Dënimet tilla më së pari i janë drejtuar Kishës Ortodokse Serbe. Tash, paramendojeni kur kreu politik fillon të pështynë mbi Kishën Ortodokse Serbe. Në Kosovë nuk guxon askush të thotë diçka, përveç asaj që është politikë zyrtare e Beogradit”, tha Nojkiq.

Ndërkaq, Trajkoviq thotë se sjelljet e Listës Serbe, që sipas tij janë pasqyrim i sjelljeve të Beogradit zyrtar, përkujtojnë kohët e ish presidentit serb Slobodan Millosheviqit, në vitet 90, kur Këshilli për Kosovën i Partisë Socialiste të Serbisë, si dorë e zgjatur e pushtetit në Beograd, disiplinonte ata që mendonin ndryshe.

“Më kujtohet ajo kohë, kur peshkopi Artemie, pra Kisha dhe unë me Lëvizjen e Rezistencës Serbe, diku në vitin 1998, në fakt ishim caku kryesor i sulmeve, duke na akuzuar për tradhti dhe për bashkëpunim me shërbimet e huaja të inteligjencës. Pas 20 vjetësh ne kemi variantin e ri, pra, Listën Serbe e cila luan atë rol, përpiqet të disiplinojë dhe akuzojë Kishë, në këtë rast peshkopin Teodosije dhe neve nga Forumi kombëtar serb, së bashku me këta të shoqatës ‘Atdheu’ në Mitrovicë. Krejt është e njëjtë dhe e ngjashme”, tha Trajkoviq.

Megjithatë, ai ka kritikuar edhe një pjesë të madhe të medieve serbe, të cilat, siç tha ai, po i shmangin njerëzit që mund të japin mendim dhe opsione të tjera nga ato të Listës serbe dhe Beogradit zyrtar.

Nojkiq thotë se në mesin politikanëve serb të Kosovës, ka mjaft të tillë që kanë mendim krejtësisht ndryshe nga Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar. Por, sipas tij, zërat e tyre do të mbesin të ngulfatur përderisa monopolin e përfaqësimit politik të serbëve të Kosovës do ta kenë Lista serbe, e dirigjuar nga Beogradi zyrtar.

“Intelektualë të tillë ekzistojnë edhe më tej në Kosovë, por ata janë në errësirë të plotë, duke marrë parasysh që as mediet nuk janë të gatshme t’i dëgjojnë ata zëra, gjegjësisht i shmangen bisedave me njerëzit që kanë mendimin e vet. Kjo, në fakt, tregon se ekziston një frikë e caktuar në mesin e përfaqësuesve të serbëve e sidomos në mesin e atyre që kanë mbetur të jetojnë në hapësirën e Kosovës, gjegjësisht atyre që janë të varur nga institucionet në Beograd dhe serbë të tillë ka më së shumti”, tha Nojkiq.

Sidoqoftë, ai ka shprehur mendimin se edhe Prishtinës zyrtare po i konvenon një situatë e tillë dhe mendimet e ndryshme politike të serbëve nuk do të mund të dëgjohen përderisa Prishtina zyrtare dhe Beogradi zyrtarë nuk do t’i ndërrojnë lojtarët politik në skenën politike, shkruan Radio Evropa e Lire

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje