Luftë për të ardhmen e LVV-së

Luftë për të ardhmen e LVV-së

Tetë dhjetori i këtij viti ka nxjerrë në sipërfaqe përplasjen më të thellë brenda lëvizjes “Vetëvendosje”, ndonëse mospajtimet e brendshme për disa muaj ishin heshtur.

Publikimi i disa mesazheve të realizuara në aplikacionin “Viber” mes deputetëve bënë që përfaqësuesit e LVV-së të ndahen në dy taborë brenda partisë: grupi i ish-liderit të LVV-së Albin Kurti dhe i ashtuquajturi i ish-sekretarit organizativ Dardan Molliqaj.

Në grupin e parë janë pozicionuar deputetët si: Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Xhelal Sveçla, Fitore Pacolli, si dhe grupi i aktivistëve në Shqipëri. Ndërkohë në grupin e dytë pretendohet të bëjnë pjesë deputetët: Visar Ymeri, Aida Dërguti, Dardan Sejdiu, Dukagjin Gorani, si dhe kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, shkruan “Zëri”.

Përplasjet mes “Vetëvendosjes” nuk mbaruan vetëm me publikimin e mesazheve ku deputetja Aida Dërguti shihej ta ketë ofenduar ish-liderin Albin Kurti.
Përkundrazi ato vazhduan edhe pas dorëheqjes së Dërgutit nga anëtarësia e LVV-së dhe nga Dega në Vushtrri. Madje përplasjet dhe dallimet vazhduan të shpërfaqen edhe pas deklaratave të liderit Visar Ymeri karshi kësaj situate.

Përderisa deputetët si Pacolli, Aliu e Haxhiu drejtuan kritika të ashpra drejt tij, aktivistë të kësaj partie kërkuan dorëheqjen e Ymerit nga pozita e kryetarit.

Analisti politik Agon Maliqi ka thënë se brenda LVV-së është duke u zhvilluar një luftë për të ardhmen e kësaj partie.

“Është një luftë për të ardhmen e ‘Vetëvendosjes’, jo vetëm në kuptimin e asaj se cili grup do të jetë më i fuqishëm, por me gjasë edhe me pasoja mbi orientimin ideologjik në të ardhmen”, është shprehur ai për “Zërin”.

Sipas tij, edhe blloku i Albin Kurtit, e edhe ai kundër tij dëmtohen pa njëri-tjetrin.

“Për këtë arsye ata arsyetojnë se problemi nuk mund të zgjidhet vetëm brenda strukturave ekzistuese (Këshillit të Përgjithshëm), por me gjasë përmes një rithemelimi të organizatës mbi parime më gjithëpërfshirëse. Grupi i themeluesve në anën tjetër kërkon që ta ruajë fuqinë që ua siguron struktura ekzistuese e Këshillit dhe e Kryesisë. Bllokimi ekziston sepse të dyja palët e dinë se kanë nevojë për njëra-tjetrën”, ka shtuar Maliqi.

Ndërkohë, ndonëse sipas tij në interes të dyja palëve është që të arrijnë konsensus, gjasat më të mëdha janë të mbizotërojë e kundërta.

Ndërkaq politologu Belul Beqaj ka thënë se po që se LVV-ja nuk do të dijë si të dalë nga situata e krijuar, atëherë mund të shfaqen edhe probleme më të mëdha.

“Nëse nuk gjendet kompromisi i tejkalimit të shkaqeve, më mirë është të largohen ata që nuk ndjekin vizionin e ‘Vetëvendosjes’ sesa të vazhdojnë unitetin e rrejshëm”, ka theksuar Beqaj.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje