LV-ja: Komuna e Shtimes spektatore përballë përdorimit të drogës në shkolla

LV-ja: Komuna e Shtimes spektatore përballë përdorimit të drogës në shkolla

Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Shtime, është shprehur e  shqetësuar për ndodhitë e muajve të fundit, që atakojnë direkt jetën dhe shëndetin e të rinjve tanë.

Sipas kësaj partie, vetëm muajt e fundit kanë pasur disa raste ku të rinjtë e qytetit të Shtimes ishin viktima të dukurive të dëmshme shoqërore e ndër to edhe raste me pasoja fatale.

“Rinia në Shtime përballet me një varg problemesh të ndryshme, të cilat me pas i shtyjnë drejt rrugëve devijuese. Shqetësuese për të rriturit dhe shkatërruese për të rinjtë, është përdorimi i drogave në shkolla dhe mjedise publike. Para gjithë kësaj skene të shkatërrimit të rinisë sonë, komuna del të jetë vetëm spektatore”, është thënë në komunikatën e Vetëvendosjes.

Kjo parti përmes asamblistëve të saj i ka kërkuar kuvendit komunal mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në të cilën do të diskutohej vetëm për çështjen e të rinjve dhe të sigurisë, por një nismë e tillë nuk ka marrë përkrahje nga Kuvendi Komunal i Shtimes.

“Një neglizhencë e tillë është jashtëzakonisht shqetësuese. Ndarja e buxhetit dhe subvencioneve për kulturë rini dhe sport, është qesharake dhe nuk ndikon aspak në përmirësimin e jetës së tyre dhe këtë ‘traditë’ komuna e vazhdon akoma, duke shkaktuar kështu shuarjen e aktiviteteve sportive dhe kulturore”, është theksuar më tutje në komunikatë.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon që përveç një diskutimi të gjerë për këtë problematikë, po ashtu kërkon ndërmarrjen e masave që do ndikonin në parandalimin e kësaj dukurie.

“Ndihma financiare nga komuna përmes rritjes së buxhetit dhe subvencioneve për kulturë, rini dhe sport; bashkëpunim serioz mes komunës dhe policisë në njohjen dhe parandalimin e problemit; krijimi i kushteve nga komuna që të rinjtë të kenë ambiente ku zhvillojnë aktivitete të ndryshme kulturore, sportive, argëtuese etj; bashkërendimi i shkollave dhe komunës për angazhimin e të rinjve në aktivitete vullnetare apo me pagesë dhe angazhim serioz në qasjen e të rinjve në punësim; kërkimi i donacioneve të huaja që do të dedikoheshin enkas për fuqizimin e rinisë; monitorimi i shtuar mes prindërve dhe mësimdhënësve dhe njoftimi mes tyre për problemet e të rinjve të shfaqura në shkollë apo shtëpi; kontrolle të shpeshta dhe të rrepta nga policia dhe inspektorët komunal në ambiente të dyshimta dhe interesimi dhe bashkëpunimi i shoqërisë shtimjane në përgjithësi me akterë të ndryshëm në shpëtimin e rinisë sonë”, është theksuar ndër të tjera në komunikatën e LV-së.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje