Majko me shqiptarët e Gjermanisë, kërkohen lehtësira për mësimin e gjuhës shqipes

Majko me shqiptarët e Gjermanisë, kërkohen lehtësira për mësimin e gjuhës shqipes

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, ka zhvilluar një vizitë pune në Dusseldorf të Gjermanisë, ku është takuar me përfaqësues të shoqatave shqiptare.

Arsimi shqip në Gjermani, vendosja e standardeve të përbashkëta arsimore me Kosovën dhe problematika të komunitetit shqiptar atje, kanë qenë disa nga çështjet që janë diskutuar gjatë takimit.

Arsimtarët e kanë njoftuar ministrin Majko me situatën e arsimit shqip në landin e Rinit Verior-Vestfali, ku siç kanë thënë, në ato qytete ku mundësohet shkollimi shqip, pjesëmarrja e nxënësve është e konsiderueshme, por mund të ishte më e lartë.

Përfaqësuesja e Këshillit të Arsimtarëve, ka vënë theksin tek potenciali i brezit të ri në Gjermani i cili është duke mësuar shqip. Ai ka kërkuar më shumë bashkëpunim për krijimin e lehtësirave për ta.

Ndërsa ministri i Shtetit për Diasporën ka prezantuar iniciativat që po ndërmerr në këtë aspekt, si ato të librave online dhe krijimit të një rrjeti të profesionistëve në internet.

Ai është ndalur edhe tek nevoja e një aktiviteti të përvitshëm të librit apo mbledhje të tjera që do të mundësonin komunikime e bashkëpunime të dobishme.

Në këtë takim është diskutuar edhe për kurikulën dhe rolin e teknologjisë në mësimin e gjuhës shqipe. (TCh)

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje