Mbi 2.5 miliardë euro vlera e kredive të qytetarëve në banka

Mbi 2.5 miliardë euro vlera e kredive të qytetarëve në banka

Vlera e kredive të qytetarëve të Kosovës në dhjetë bankat komerciale, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, ka arritur në mbi 2.5 miliardë euro, prej tyre mbi 900 milionë euro janë kredi familjare, derisa 1.6 miliardë euro janë kredi për ndërmarrje.

Mesatarja e normës së interesit për kredi është 6.8 për qind.

“Kreditë e lëshuara nga sektori bankar përshpejtuan rritjen përgjatë tërë vitit 2017, një rritje që karakterizoi edhe tremujorin e fundit të vitit 2017. Sektori bankar kreditoi ekonominë vendore në vlerë rekorde prej 78.2 milionë euro në TM4 2017, dukshëm më e lartë se vlera prej 45.6 milionë e shënuar në TM4 2016. Zhvillimet në stokun e kredive aktive dhe atyre të reja, ndër tjerash u ndikuan nga oferta lehtësuese e aplikuar nga bankat përmes përmirësimit të kushteve të kreditimit për të dy kategoritë ekonomike”, thuhet në një raport të Bankës Qendrore të Kosovës.

Bankat komerciale të cilat veprojnë në Kosovë paraqesin oferta të llojllojshme të kredive. Ofertat, përfshijnë kreditë konsumuese, ato për banim, shkollim, biznese, prodhim, por edhe për festa të ndryshme.

Drejtori ekzekutiv në Shoqatën e Bankave të Kosovës, Petrit Balija, thotë për Radion Evropa e Lirë se normat e interesit kanë rënë mbi 50 për qind krahasuar me vite më parë.

“Tani kemi norma të interesit që janë të favorshme edhe për biznesin edhe për qytetarët. Normat e interesit nuk mund të konsiderohen më si barrierë për kreditim dhe për investime për zgjerim të biznesit”, thotë Balija.

Megjithatë, ai thekson se duhet të ketë kreditim më shumë nga bizneset dhe më pak nga konsumi individual.

“Ne do të dëshironim që kredimarrja të jetë më e përqendruar tek afarizmi, tek bizneset pasi që ajo prodhon edhe efekte ekonomike, për më shumë kreditimi më produktiv është kreditimi për prodhim, por kjo varet edhe nga struktura ekonomike e vendit e cila për momentin është e orientuar më shumë në tregti sesa në prodhim”, thotë Balija.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje