Mbretërit shuajnë entuziazmin e Zonjës, me një këmbë në gjysmëfinale

Mbretërit shuajnë entuziazmin e Zonjës, me një këmbë në gjysmëfinale

Real Madridi ka shënuar fitoren më të rëndësishme të këtij edicioni në Torino të Italisë ndaj Juventusit me rezultat të papritur, 3-0, për të bërë kështu një hapë të madh drejt gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve.

Një atmosferë impozante në Torino me pak shi ishte menduar se do të përbënte mbrëmjen perfekte për kampionët e Italisë.

Të dy trajnerët vendosën për formacione ofensive, teksa u mendua se Zonja më në fund e ka rastin që të hakmerret pas asaj finale e cila nuk shkoi dhe aq mirë.

Aq mirë realisht nuk shkoi as ndeshja e parë çerekfinale, e kjo u vërejt qysh në minutat e para.

Pas vetëm tri minutash lojë, një pasim i rrezikshëm i Iscos e detyron Ronaldon të hapet dhe të dalë para Barzaglit i cili gabon, kështu duke shënuar për 1-0 dhe epërsinë fillestare në këtë takim.

Buzëqeshja e Ronaldos, evidente pas golit të parë, Foto: Getty Images

Juventusi vazhdoi ta dominonte takimin dhe rast pas rasti po kërkonte barazimin. Kishte edhe momente kontroverse në zonën e mbretërve, por gjyqtari nuk u shfaq i shqetësuar në asnjë moment.

Pjesa e dytë u mendua të ketë krejt tjetër epilog.

Modric ishte dominues në mesfushë, Foto: Getty Images

Pas një ofensive të hershme të Juventusit që ishte afër golit të barazimit, erdhi momenti kur u shënua goli i sezonit… jo nga Juventusi.

Një krosim i ulët nga Dani Carvajal bëri që Cristiano Ronaldo të shkëputet në mënyrë fantastike për të realizuar me gërshërë në këndin e poshtëm të majtë të Gianluigi Buffonit për ta fotografuar atë në panoramën e Juventus Arenas për 2-0 në minutën e 64.

Pasoi një festë për atë që ishte goli i nëntë nga 10 gjuajtjet që Ronaldo i ka bërë deri tash në karrierën e tij në drejtim të Buffonit, teksa festës nuk ju përmbajt as Zinedine Zidane i cili nuk u besoi syve për golin që portugezi e realizoi.

Ronaldo po ashtu shënoi në 10 ndeshje rresht në Ligën e Kampionëve duke thyer kështu edhe një rekord të radhës.

Vetëm dy minuta pas golit spektakolar nga frustrimi, Paulo Dybala ndërhyri ashpër në Dani Carvajalin, me ç’rast edhe u përjashtua nga ky takim me kartonin e dytë të verdhë.

Në minutën e 72-të ishte Marcelo ai që realizoi pas një situate të një gabimi në zonën e Zonjës së Vjetër që mbeti pa gjasa e pa shpresë para tifozëve të vet.

Me rezultatin 3-0 përfundoi ndeshja në Torino, duke i dhënë kështu një përparësi të madhe Real Madridit para ndeshjes kthyese në Santiago Bernabeu, por ku një rikthim megjithëse jo i pamundur, duket mjaft i vështirë.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje