Më pak vrasje, por më shumë drogë dhe falsifikim parash gjatë vitit...

Më pak vrasje, por më shumë drogë dhe falsifikim parash gjatë vitit 2017 në rajonin e Prishtinës

Sipas një analize vjetore (janar-dhjetor 2017) të Drejtorisë Rajonale të Policisë – Prishtinë, mbështetur në vlerësimet mujore e vjetore të bëra nga të gjitha stacionet dhe njësitë e rajonit si dhe nga vlerësimi përfundimtar vjetor i kryer në nivelin rajonal është konstatuar se rendi dhe siguria publike në territorin e rajonit të Prishtinës është brenda parametrave normal e të qëndrueshëm.

“Për këtë periudhë analizuese (vitin 2017) janë evidentuar nga policia 19’358 raste, nga të cilat janë hetuar, zbuluar dhe përcjellë në institucionet përkatëse, 67,99 % e tyre, janë goditur dhjetëra grupe e rrjete kriminale dhe janë arrestuar 2’259 persona si të dyshuar për vepra të ndryshme”, thuhet në raport.

Gjithashtu, siç shtohet më tej, njohja e situatës kriminale për trafiqet e paligjshme, evidentimi, ndjekja në dinamikë e grupeve kriminale për këto tendenca, organizimi i punës për parandalimin, goditjen dhe dokumentimin ligjor të aktivitetit të tyre si dhe përforcimi i bashkëpunimit dhe bashkërendimit të veprimeve me strukturat e tjera të administratës shtetërore, ka qenë një drejtim mjaft i rëndësishëm i strukturave regjionale në luftën kundrejt krimit.

Në këtë drejtim, vlerësohet se është rritur niveli i bashkëpunimit me të gjitha strukturat pjesëmarrëse në zbatimin e ligjit si dhe shërbime të tjera të angazhuara në luftën për parandalimin, zbulimin, dokumentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale – ky bashkëpunim është realizuar si nëpërmjet shkëmbimit të informacioneve të ndërsjella, ashtu edhe me kryerjen e veprimeve të përbashkëta në fushën operacionale.

“Gjatë kësaj periudhe analizuese janë realizuar me sukses mbi 700 operacione nga më të ndryshmet të cilat kanë rezultuar me arrestimin e 2’259 personave të dyshuar”.

Po sipas njoftimit, vëmendja është përqendruar në ndjekjen e situatës kriminale dhe në mënyrë të veçantë për krimet e rënda, goditjes së grupeve e rrjeteve kriminale si dhe harmonizimit të punës së strukturave policore regjionale e ndër regjionale, me qëllim dominimin e situatës kriminale.

Gjithashtu vëmendje i është kushtuar edhe punës lidhur me mbrojtjen e fëmijëve, ku për këtë qëllim janë hartuar programe të veçanta, janë realizuar disa detyra dhe është bashkëpunuar ngushtë edhe me institucione të tjera dhe me organizata jofitimprurëse që kryejnë veprimtari në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.

“Sa i përket veprave penale kundër Jetës dhe Trupit, kanë shënuar rritje për 0.71%. Gjatë kësaj periudhe analizuese kemi pasur 5 vrasje, numër ky që është për 7 raste më i ulët, se sa në vitin 2016 ku kemi pasur 12 vrasje ose shprehur në përqindje këtë vit kemi një rënie prej 58.33%. Sa i përket tentim vrasjeve për vitin 2017 kemi pasur 47 raste, ndërsa përgjatë periudhës së njëjtë të vitit 2016 kemi pasur 45 raste, pra këtë vit kemi 2 tentim vrasje më shumë, ose një ngritje prej 4.44 %. Rastet e lëndimit të rëndë trupor kanë pësuar një rrënje prej – 7.77 %. Në këtë periudhë analizuese kemi pasur 95 raste të lëndimit të rëndë trupor për dallim nga viti 2016 që kemi pasur 103 raste. Ndërsa rastet e lëndimit të lehtë trupor janë ngritur për 6.63%, në vitin 2016 kemi pasur 981 rase të lëndimit të lehtë trupor, ndërsa në vitin 2017 janë raportuar 1’046 raste”, thuhet në raportin e Policisë.

Sipas raportit, edhe rastet e kanosjes kanë shënuar ulje.

“Në këtë periudhë analizuese kemi pasur 626 raste të kanosjes për dallim nga e njëjta periudhë e vitit 2016 që kemi pasur 677 raste, pra kemi një rënie prej -7.53 %”.

Sa i përket rasteve të blerjes, posedimit, shpërndarjes e shitjes së substancave narkotike këtë vit kemi pasur një rritje të konsiderueshme.

“Gjatë kësaj periudhe kemi pasur 349 raste të blerjes, posedimit, shpërndarjes e shitjes së substancave narkotike ose një rritje prej 116.77%, përderisa në vitin 2016 kemi pasur 161 raste. Në këtë kontest strukturat hetimore të regjionit të Prishtinës kanë treguar një efikasitet zbulimi shumë të lartë dhe veçanërisht në disa nga operacionet e veçanta ku janë kapur sasi të mëdha të drogave. Një rënie të lehtë prej 0.27 %, janë edhe krimet kundër pasurisë. Këtë vit janë evidentuar 6’730 vepra penale kundër pasurisë, nga 6’748 vepra penale kundër pasurisë të evidentuara në vitin 2016. Rastet e vjedhjeve kanë qenë në ulje gjatë vitit 2017. Përgjatë periudhës analizuese kemi pasur 2’265 vjedhje krahasuar me 2’276 raste vjedhjesh sa kemi pasur gjatë vitit 2016, pra është shënuar një rënie prej 0.48 %. Një ngritje kemi pasur te rastet e vjedhjeve të rënda, ku për dallim nga periudha e njëjtë analizuese e vitit 2016, që kemi pasur 2’463 raste të vjedhjes së rëndë, këtë periudhë analizuese kemi pasur 2’541 raste pra 78 raste më shumë apo shprehur me përqindje 3.17 % ngritje”.

Shqetësuese, gjithsesi sipas raportit, mbetet ngritja e numrit të rasteve të falsifikimit të parasë dhe falsifikimit të dokumenteve.

“Në vitin 2016 kemi pasur 289 raste të falsifikimit të parasë, përderisa për këtë periudhë analizuese kemi pasur 348 raste të tilla ose 59 raste më shumë ose 20.41% ngritje. Ndërkaq sa i përket rasteve të falsifikimit të dokumenteve gjatë vitit 2016 kemi pasur 38 raste të tilla, përderisa në vitin 2017 kemi pasur 56 raste ose 18 raste më shumë”.

Raporti flet edhe rreth aksidenteve në komunikacion.

“Gjatë kësaj periudhe analizuese në funksion të preventivës së ngjarjeve aksidentale në komunikacion ka pasur 36’341 pika kontrolli. Sa i përket numrit të aksidenteve në përgjithësi kemi pasur rënie prej 7.16 %. Në këtë periudhë janë evidentuar 7’643 aksidente ose 589 aksidente më pak se sa në vitin 2016, kur kemi pasur 8’232 aksidente trafiku. Në ngritje janë rastet e aksidenteve me persona të lënduar ku për vitin 2016 kemi pasur 2’258 raste të tilla përderisa në vitin 2017 kemi 2’346 raste ose 88 raste më shumë”.

Por, megjithatë, vlerësohet se kemi një ngritje të treguesve të sigurisë në trafik.

Kështu, për këtë periudhë analizuese, janë në rënie aksidentet e trafikut me fatalitet si dhe pasojat që kanë ardhur nga këto aksidente.

“Në vitin 2016 kemi pasur 33 aksidente fatale me 38 persona të vdekur, ndërsa në vitin 2017, kemi pasur 31 aksidente fatale, ku për pasojë kemi 35 persona të vdekur. Pra, kemi 3 aksidente fatale më pak se vitin e kaluar. Numri i viktimave nga aksidentet rrugore me gjithë rënien e tij përsëri është mjaft i lartë dhe në përmasa shqetësuese. Gjatë kësaj periudhe Policia e Kosovës përveç fushatave, kampanjave dhe apeleve të ndryshme për parandalim aksidentesh, gjithashtu ka gjobitur kundërvajtësit në trafik. Numri i tiketave të shqiptuara nga njësitet e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prishtinës, gjatë vitit 2017 është 104682”, thuhet ndër tjerash në raportin e Policisë.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje