“Meka” tërhiqet nga panairi “Prishtina 2017” për shkak të Odës Ekonomike të...

“Meka” tërhiqet nga panairi “Prishtina 2017” për shkak të Odës Ekonomike të Serbisë

Biznesmeni i njohur Burim Piraj përmes një letre publike, ka njoftuar se në shenjë pakënaqësie tërhiqet nga pjesëmarrja në Panairin Ndërkombëtar të Produkteve Bujqësore dhe Agro Industriale “Prishtina 2017”, pasi Oda Ekonomike e Serbisë ka rezervuar gjysmën e hapësirës së panairit dhe do të ekspozonte përball produkteve të firës së tij “Meka”.

“Shumë padrejtësi na bëhet nga ky shtet fqinjë andaj firma ‘Meka’ dhe ‘Privredna Komora Srbije’ nuk do të ekspozojnë në të njëjtin vend, derisa të trajtohemi në mënyrë të barabartë nga ky shtet fqinj dhe institucionet e këtij shteti!”, shkruan Preaj, transmeton KosovaPress.

Letra e Pirajt:

Letër publike deri te: Kryetari i Republikës së Kosovës, Kryetari i Kuvendit të R. Së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe kryetari i OEK

I nderuari Kryetari i Republikës së Kosovës Z. Hashim Thaçi I nderuari Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Z. Kadri Veseli I nderuari Kryeministri i Republikës së Kosovës Z. Ramush Haradinaj I nderuari Kryetari i OEK z. Safet Gërxhaliu

Nesër fillon panairi Ndërkombëtar i Produkteve Bujqësore dhe Agro Industriale “Prishtina 2017 “ Panair i cili për ne ka qenë interesant dhe e kemi aprovuar pjesëmarrjen e firmës sonë në këtë panair. Mirëpo sot morëm vesh se Oda Ekonomike e Serbisë e ka rezervuar gati gjysmën e hapësirës në këtë panair dhe atë mu përpara firmën MEKA ku patëm rezervuar të ekspozojmë, nga ana tjetër Serbia në ballë me Oden Ekonomike të Serbisë edhe sot e kësaj dite nuk na lejojnë transitin nëpër Serbi të mallrave Evropiane me prejardhje shtazore e që neve na detyrojnë të bëjmë transportin rrotull nga Rumunia-Bullgaria-Maqedonia ose nga Kroacia – Mali i Zi – Shqipëria për në Kosovë.

Edhe pse Kosova dhe Serbia janë anëtare të traktatit të tregtisë së lirë CEFTA Serbia në mënyrë arbitrare neve na nëpërkëmb dhe na shkakton humbje të vazhduara si dhe me çdo mënyrë i pengon mallrat Kosovare të eksportohen në Serbi! Ju njoftojmë juve dhe mbarë opinion publik Kosovar se në shenjë proteste ndaj dukurive të lartë cekura ne heqim dorë nga pjesëmarrja në këtë panair! Shumë padrejtësi na bëhet nga ky shtet fqinjë andaj firma MEKA dhe “Privredna Komora Srbije” nuk do të ekspozojnë në të njëjtin vend derisa të trajtohemi në mënyrë të barabartë nga ky shtet fqinj dhe institucionet e këtij shteti!

Shpresoj të veprojnë njëjtë dhe firmat e tjera ashtu që të merren institucionet tona seriozisht me këtë dhe me shumë çështje tjera të cilat dita ditës po e gjunjëzojnë ekonominë Kosovare! Me nderime!

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje